Ancelotti flet për Realin dhe Brazilin: Ndryshimi i brezave kërkon kohë
Fatmir Bytyqi/RTKLive
Trajneri italian Carlo Ancelotti, në një intervistë për ‘Rdaio Marca’, ka folur për situatën te ish-skuadra e tij Real Madrid dhe për eksperiencën e tij aktuale me kombëtaren e Brazil.
Tekniku italian theksoi se klubi madrilen po kalon një proces të rëndësishëm ndryshimi, pasi disa nga lojtarët që për vite me radhë kanë ndërtuar identitetin e skuadrës janë larguar, ndërsa në ekip kanë ardhur emra të rinj që kanë nevojë për kohë për t’u përshtatur.
Sipas Ancelottit, situata nuk mund të reduktohet vetëm në largimin e Toni Kroos dhe afrimin e Kylian Mbappe, pasi ndryshimet në skuadër kanë qenë më të gjera dhe kanë ndikuar në balancën e ekipit.
“Real Madrid po përjeton një ndryshim brezash. Nuk mund të limitojmë gjithçka duke thënë se është larguar Toni Kroos dhe është afruar Kylian Mbappe. Nga skuadra janë larguar disa lojtarë që kishin krijuar një ambient të veçantë dhe tani po luajnë futbollistë të rinj, të cilëve u duhet kohë për t’u stabilizuar në nivelet e kërkuara”, u shpreh Ancelotti.
“Edhe pse Mbappe ka shënuar shumë gola, Realit i ka rezultuar më e vështirë të fitojë tituj. Në futboll detajet kanë shumë rëndësi”, shtoi ai.
Ancelotti zbuloi gjithashtu se kishte përgëzuar klubin madrilen pas fitores së madhe ndaj Manchester City.
“Pas asaj ndeshjeje telefonova presidentin dhe disa nga lojtarët për t’i uruar për arritjen”, tha trajneri italian.
Sa i përket punës së tij me Brazilin, ai theksoi se ritmi është ndryshe nga futbolli i klubeve. Sipas tij, si trajner i një kombëtareje nuk ka stërvitje të përditshme, por përgjegjësia kryesore është vëzhgimi i shumë ndeshjeve për të përzgjedhur lojtarët më të mirë.
Megjithatë, Ancelotti theksoi se kjo nuk e bën punën më të lehtë, pasi Brazili ka një bazë shumë të gjerë futbollistësh dhe rreth 70 lojtarë mund të jenë kandidatë potencialë për të përfaqësuar kombëtaren.
“Te Brazil nuk kam shumë stres sepse nuk luhen shumë ndeshje. Si trajner i një kombëtareje, detyra ime është të shoh sa më shumë ndeshje për të vendosur se kush do të grumbullohet. Nuk më duhet të përgatis stërvitje çdo ditë, por kjo nuk do të thotë se kam më pak punë”, deklaroi Ancelotti.
Në fund, trajneri italian u shpreh se fitimi i Kupës së Botës 2026 me Brazilin është më shumë se një objektiv – është një motivim i madh për të në këtë aventurë të re në karrierën e tij.























