Chelsea pa kapitenin Reece James kundër PSG-së, Neto do të luajë
Uran Krasniqi / RTKLive
Chelsea do të përballet me Paris Saint-Germain, por londinezët do të jenë pa kapitenin e tyre.
Trajneri Liam Rosenior e ka konfirmuar se Reece James nuk do të luajë për shkak të një lëndimi të pësuar në humbjen 1:0 ndaj Newcastle United në Premier League.
Chelsea përballet me një mision të vështirë, pasi në ndeshjen e parë në Paris ka humbur me rezultat 5:2 ndaj kampionëve në fuqi të Evropës.
Megjithatë, Rosenior ka theksuar se skuadra e tij ende beson se mund ta vështirësojë punën e PSG-së dhe të luftojë për përmbysje.
Ndërkohë, Chelsea ka marrë një lajm pozitiv para përballjes me PSG-në. Sulmuesi anësor Pedro Neto do të jetë i gatshëm për lojë, pasi UEFA ka vendosur ta ndëshkojë vetëm me karton të verdhë për incidentin në ndeshjen e parë në Paris.
Futbollisti portugez ka qenë nën hetim pasi kishte shtyrë një mbledhës topash gjatë humbjes 5:2 në stadiumin "Parc des Princes". Pas hetimit, UEFA e kishte cilësuar veprimin si sjellje josportive dhe e kishte shtuar një karton të verdhë në regjistrin disiplinor të lojtarit. Neto kishte kërkuar falje për incidentin, duke thënë se gjithçka ndodhi në një moment kur ishte i emocionuar.























