Kosova fiton ndeshjen e kthimit ndaj Bosnë-Hercegovinës, por eliminohet
BKT
Sport

Kosova fiton ndeshjen e kthimit ndaj Bosnë-Hercegovinës, por eliminohet

Uran Krasniqi / RTKLive

(E plotësuar, 18:37) - Kosova në hendboll e ka fituar ndeshjen e kthimit të fazës së dytë kualifikuese për kualifikimet e Botërorit 2027 kundër Bosnë-Hercegovinës, por fitorja me katër gola dallim nuk ka mjaftuar për të kaluar më tej.

“Dardanët” kanë fituar në Pallati i Rinisë dhe Sporteve me rezultatin 33:29, pas humbjes me trembëdhjetë gola dallim në ndeshjen e parë të luajtur në Tuzla.

Bujar Ramosaj ka qenë më i suksesshmi për Kosovën, duke shënuar shtatë gola nga tetë gjuajtje. Katër gola i kanë shënuar edhe Shaban Zogaj, Drilon Tahirukaj dhe Leonard Gegaj.

Te Bosnjë-Hercegovina, ndeshjen e kanë mbyllur me nga gjashtë gola Amer Shahinoviq dhe Mislav Grgiq.

Pavarësisht fitores, Bosnë-Hercegovina avancon në raundin e tretë kualifikues, që është faza e fundit e kualifikimeve për Botërorin 2027. Në atë fazë, boshnjakët do të përballen me Ishujt Faroe.

Kosova përfundon kështu rrugëtimin në fazën e dytë.

Kosova në avantazh ndaj Bosnjë-Hercegovinës në pjesën e parë

Kosova në hendboll është duke zhvilluar një paraqitje të mirë në përballjen ndaj Bosnjë-Hercegovinës, ku pas pjesës së parë po udhëheq me rezultat 17:15 në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë.

Ndeshja po karakterizohet me lojë të fortë dhe angazhim maksimal nga të dyja skuadrat, ndërsa “Dardanët” kanë arritur të krijojnë epërsi prej dy golash pas tridhjetë minutave të parë.

Kjo përballje është pjesë e ndeshjes së kthimit të raundit të dytë kualifikues për Kampionatin Botëror 2027.

Në ndeshjen e parë të zhvilluar në Tuzla, përfaqësuesja e Bosnjë-Hercegovinës kishte fituar bindshëm me rezultat 34:21.