O’Reilly pas trofeut me City-n: Një fundjavë e jashtëzakonshme
Fatmir Bytyqi/RTKLive
Mesfushori i Manchester City, Nico O`Reilly, beson se triumfi ndaj Arsenal në finalen e Carabao Cup mund të shërbejë si pikënisje për rikthimin në garën për titull në Premier League.
City triumfoi me rezultat 2:0 në “Wembley Stadium”, me O’Reilly që realizoi të dy golat dhe u shpall lojtari më i mirë i ndeshjes.
Pas përfundimit të takimit, ai u shpreh i entuziazmuar për suksesin e arritur.
“Ka qenë një ditë dhe fundjavë e jashtëzakonshme. Loja shkoi shumë mirë për ne, fituam 2:0 dhe në pjesën e dytë dominuam plotësisht. Tani do ta festojmë këtë sukses dhe më pas vjen pushimi për ndeshjet ndërkombëtare,” tha O’Reilly.
Ai theksoi edhe emocionet personale nga kjo arritje, duke shtuar se prania e familjes në stadium e bëri gjithçka edhe më të veçantë.
“Jam shumë i lumtur, sidomos sepse familja ime ishte aty për të më parë duke ngritur trofeun. Të shënoj dy gola dhe të shpallem lojtari i ndeshjes është diçka e jashtëzakonshme për mua,” u shpreh ai.
Duke komentuar ndërhyrjet e trajnerit Pep Guardiola në pjesën e dytë, O’Reilly theksoi se ndryshimet taktike ishin vendimtare.
“Ishin më shumë ndryshime taktike. Bëmë disa korrigjime dhe funksionuan shumë mirë. Gjetëm hapësirat dhe i shfrytëzuam,” shtoi ai.
Në fund, mesfushori i Cityt u ndal edhe te ndikimi i kësaj fitoreje në vazhdimësinë e sezonit.
“Kjo është një goditje për ta. Ne kemi një ndeshje më pak në kampionat dhe do të përballemi sërish me ta në shtëpinë tonë. Duhet ta ndërtojmë mbi këtë fitore dhe të vazhdojmë me të njëjtin ritëm pas pushimit ndërkombëtar,” përfundoi O’Reilly.























