Muriqi pas humbjes: Kosova do të kualifikohet një ditë
BKT
Sport

Muriqi pas humbjes: Kosova do të kualifikohet një ditë

Uran Krasniqi / RTKLive

Sulmuesi i Kombëtares së Kosovës, Vedat Muriqi, ka shprehur zhgënjimin, por edhe krenarinë pas humbjes ndaj Turqia në finalen e “play-off” për Botërorin 2026.

Kosova është mposhtur minimalisht 0-1 në ndeshjen e zhvilluar të martën në Prishtinë, duke i dhënë fund ëndrrës për kualifikim në Kupën e Botës.

Pas ndeshjes, Muriqi e ka vlerësuar rrugëtimin e skuadrës dhe përkushtimin e lojtarëve.

“Shumë vështirë. Kemi luftuar prej ditës së parë e deri këtu. E nisëm kampanjën me humbje të thellë dhe menduam se nuk ka kthim. Por vazhduam mirë. Unë jam shumë krenar me bashkëlojtarët e mi. Jam shumë krenar që jam ndër kapitenët. Do të kisha dëshirë ta udhëheq ekipin në Amerikë, por fati nuk e deshi”, ka deklaruar ai.

Sulmuesi kosovar ka shprehur besimin se e ardhmja e ekipit kombëtar mbetet premtuese.

“Unë nuk e di a do të jem, por Kosova do të kualifikohet në një kampionat të madh. Kemi pasur shumë raste. Më dhimbset gjithë ekipi, gjithë shteti. Gjithë kjo përkrahje...”, është shprehur Muriqi.