Trump shkarkon Pam Bondi nga posti i Prokurores së Përgjithshme
BKT
Foto: Reuters
Rajoni dhe Bota

Trump shkarkon Pam Bondi nga posti i Prokurores së Përgjithshme

Gentiana Kelmendi/RTKlive

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka shkarkuar Prokuroren e Përgjithshme Pam Bondi, pas pakënaqësive për performancën e saj, veçanërisht lidhur me publikimin e dokumenteve për Jeffrey Epstein.

Sipas burimeve, Trump ishte i pakënaqur edhe me ritmin e ndjekjes penale ndaj kritikëve dhe kundërshtarëve të tij.
Zëvendësprokurori i Përgjithshëm, Todd Blanche, do të udhëheqë përkohësisht Departamentin e Drejtësisë. Trump e ka cilësuar Bondin si “patriote të madhe amerikane dhe mike besnike”, duke bërë të ditur se ajo do të kalojë në sektorin privat.

Në reagimin e saj, Bondi tha se drejtimi i përpjekjeve për ta bërë Amerikën më të sigurt ishte “nderi i një jete” dhe se do të bëjë tranzicionin e detyrës gjatë muajit të ardhshëm.

Gjatë mandatit, ajo u kritikua për mënyrën e trajtimit të dokumenteve për Epstein dhe për dobësimin e pavarësisë së Departamentit të Drejtësisë nga Shtëpia e Bardhë.

Trump e kishte njoftuar Bondin për shkarkimin në një takim në Shtëpinë e Bardhë, ndërsa më herët kishte shprehur pakënaqësi për punën e saj.

Shkarkimi i saj mund të sjellë ndryshime në strategjinë e Departamentit të Drejtësisë. Ajo është zyrtarja e dytë e lartë e larguar së fundmi, pas shkarkimit të Kristi Noem në mars.

Ndërkohë, senatori Dick Durbin ka kritikuar ashpër punën e saj, duke thënë se drejtësia është përdorur për përfitime personale politike.

Një komision i Dhomës së Përfaqësuesve pritet ta thërrasë Bondin për dëshmi më 14 prill. / Burimi: Reuters


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota