Dyshime për sabotim të gazsjellësit në Hungari
BKT
Rajoni dhe Bota

Dyshime për sabotim të gazsjellësit në Hungari

Dardan Ramabaja / RTK

Kryeministri hungarez Viktor Orban ka thirrur një takim urgjent të Këshillit Kombëtar të Mbrojtjes pasi u gjetën eksplozivë pranë një tubacioni në Serbi që transporton gazin rus në Hungari.

Zbulimi në një zonë kufitare të Serbisë fqinje vjen ndërsa partia e Orbanit është shumë prapa në sondazhet e opinionit përpara zgjedhjeve vendimtare të dielën e ardhshme.

Udhëheqësi i opozitës Peter Magyar e akuzoi atë për "nxitje paniku" të orkestruar nga "këshilltarët rusë", disa ditë pasi ekspertët e sigurisë paralajmëruan për një operacion të mundshëm "të rremë" ku mund të fajësohet Ukraina. Dyshime të ngjashme janë shprehur edhe nga shumë analistë në Evropë.

Orban, një aleat i Presidentit rus Vladimir Putin, i ka rezistuar thirrjeve të BE-së për të braktisur importet e energjisë ruse që nga pushtimi në shkallë të plotë i Ukrainës.

Në javët e fundit, ekspertët hungarezë të sigurisë kanë ngritur mundësinë e një operacioni të organizuar, qoftë në territorin hungarez apo serb, që synon të ngjallë simpati të mjaftueshme për Orbanin për të ndihmuar partinë e tij Fidesz të fitojë zgjedhjet - ose për t'i dhënë Orbanit një justifikim për të shpallur një gjendje të jashtëzakonshme dhe për të shtyrë ose anuluar zgjedhjet.

Presidenti serb Alexander Vuçiç, një aleat i ngushtë i Orbanit, e informoi udhëheqësin hungarez për zbulimin të dielën në mëngjes.

Dy çanta shpine plot me eksplozivë dhe detonatorë u gjetën nga ushtria serbe pranë fshatit Tresnjevac në qarkun Kanjiza, rreth 20 km nga pika ku tubacioni TurkStream kalon në Hungari.

"Njësitë tona gjetën një eksploziv me fuqi shkatërruese", kishte shkruar mbrëmë Vuçiç në një postim në Instagram, duke shtuar se i kishte thënë kryeministrit Orban se do ta mbanim të informuar mbi hetimin."

Hungaria merr nga pesë deri në tetë miliardë metra kub gaz rus në vit përmes tubacionit TurkStream, nga i cili varen si Hungaria ashtu edhe Sllovakia për gazin rus.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota