Ngushtica e Hormuzit: Katër cisterna kalojnë para bllokadës amerikane
BKT
Rajoni dhe Bota

Ngushtica e Hormuzit: Katër cisterna kalojnë para bllokadës amerikane

M.Shefkiu/RTKLIve

Katër anije cisternë kanë kaluar Ngushticën e Hormuzit gjatë së hënës, para se të hyjë në fuqi bllokada ushtarake e SHBA-së ndaj porteve iraniane. Sipas të dhënave të gjurmimit detar të siguruara nga platforma MarineTraffic, të katër anijet janë identifikuar si cisterna, të cilat transportojnë naftë, gaz ose kimikate.

Komanda Qendrore e Shteteve të Bashkuara (Centcom) e shpalli bllokadën të dielën në mbrëmje, duke theksuar se ajo nuk do të pengojë anijet që kalojnë në ngushticë drejt apo nga vende të tjera, përveç Iranit.

BBC Verify: Nuk ka prova se anijet janë të lidhura me Iranin

Sipas verifikimeve, nuk është gjetur ndonjë lidhje iraniane për anijet që kanë kaluar gjatë së hënës, ndërsa asnjëra prej tyre nuk është identifikuar se po udhëtonte drejt ose nga një port iranian. Megjithatë, BBC thekson se analiza mbështetet në të dhëna të transmetuara nga vetë anijet dhe se asnjëra prej tyre nuk ka deklaruar origjinë nga një port iranian.

Hormuzi në qendër të konfliktit SHBA-Izrael-Iran

Ngushtica e Hormuzit është shndërruar në një pikë kyçe të tensioneve mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit, pasi Teherani ka kufizuar ndjeshëm lëvizjen në një prej korridoreve më të rëndësishme të transportit detar në botë.

Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se bllokada është një reagim ndaj dështimit të Iranit për të rihapur ngushticën, duke paralajmëruar se Marina amerikane do të reagojë me forcë në rast sulmesh. Ai gjithashtu ka paralajmëruar se SHBA mund të ndërmarrë veprime kundër çdo anijeje që dyshohet se paguan tarifa kalimi ndaj Iranit.

23 anije kanë kaluar ngushticën që nga prishja e bisedimeve për armëpushim

BBC Verify raporton se ka ndjekur 23 anije që kanë kaluar Hormuzin që nga dështimi i bisedimeve për armëpushim mes Iranit dhe SHBA-së, herët të dielën. Nga këto, të paktën 16 rezultojnë të kenë lidhje me Iranin, të lundrojnë nën flamurin iranian ose të jenë të sanksionuara për lidhje me Teheranin.

Para fillimit të konfliktit më 28 shkurt, mesatarisht 138 anije kalonin çdo ditë nëpër këtë ngushticë, sipas Joint Maritime Information Center.

“Afro 800 anije të bllokuara”

Richard Meade, kryeredaktor i Lloyd’s List, e ka përshkruar situatën si një periudhë “shumë të rrezikshme” për pronarët e anijeve, për shkak të pasigurisë së lartë.

Ai thotë se Irani vazhdon të ketë kontroll praktik mbi ngushticën dhe se pronarët e anijeve mund të detyrohen të kërkojnë leje nga Garda Revolucionare Islamike (IRGC). Meade thekson se gati 800 anije kanë mbetur të bllokuara për javë të tëra dhe se shumë prej tyre tashmë janë të ngarkuara me mallra, çka i bën prioritet për t’u larguar sa më shpejt nga zona.

Rreziku i minave detare

Analiza e BBC Verify tregon se shumë anije po ndjekin një rrugë më veriore, pranë bregdetit iranian, brenda ujërave territoriale të Iranit, ndryshe nga periudha para konfliktit kur kalimi bëhej më në jug.

Një tjetër rrezik i madh mbetet prania e minave detare, sipas Thomas Kazakos, sekretar i përgjithshëm i International Chamber of Shipping, i cili kërkon konfirmim të qartë për sigurinë e lundrimit.

Ndërkohë, Marina e IRGC-së ka publikuar një hartë ku tregon rrugët e lejuara të kalimit, duke shënuar një zonë në mes të kanalit si “zonë e rrezikshme”, që duhet shmangur për shkak të minave të mundshme.

Centcom ka njoftuar më herët se dy shkatërrues amerikanë, USS Frank E Petersen dhe USS Michael Murphy, ndodhen në rajon për të ndihmuar në misione të pastrimit të minave detare që dyshohet se janë vendosur nga IRGC.

 


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota