Nëntë të vrarë në të shtënat e dyta në një shkollë turke brenda dy ditësh
A.Bela|RTKLive
Të paktën tetë nxënës dhe një mësues janë vrarë dhe disa të tjerë janë plagosur pas një të shtënë me armë në një shkollë në jug të Turqisë, ka thënë ministri i Brendshëm, Mustafa Çiftçi.
Ngjarja ka ndodhur në shkollën e mesme “Ayser Çalik” në zonën e Kahramanmaras.
Sulmuesi gjithashtu është vrarë gjatë incidentit, ka bërë të ditur guvernatori lokal, Mukerrem Unluer.
Kjo vjen një ditë pasi 16 persona u plagosën kur një ish-nxënës hapi zjarr në një tjetër shkollë të mesme, po ashtu në jug të vendit, para se të vriste veten. Çiftçi tha se 13 persona mbetën të plagosur, gjashtë prej tyre në gjendje kritike.
Motivi i sulmit të së mërkurës ende nuk dihet dhe është hapur një hetim.
Mediat turke raportuan se sulmuesi, që besohet të ketë qenë adoleshent, hyri në dy klasa dhe kishte me vete pesë armë dhe shtatë karikatorë, të cilat Unluer pretendoi se i përkisnin babait të tij, një ish-oficer policie. Babai i sulmuesit është ndaluar nga policia, sipas mediave lokale.
Në një video të verifikuar nga BBC, shihen njerëz duke u hedhur nga dritaret e katit të parë të shkollës dhe duke ikur nga ambientet.
“Zhurma e të shtënave ishte shumë e fortë,” tha një reporter i transmetuesit turk NTV, duke shtuar se kishte “panik para shkollës”.
Pas publikimit të lajmit për sulmin, prindër të përlotur u mblodhën jashtë ndërtesës.
Presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan, tha se u uron “shërim të shpejtë fëmijëve tanë, familjeve tona dhe mësuesve tanë” në një postim në platformën X.























