Afrohet fundi i armëpushimit mes SHBA-së
BKT
Rajoni dhe Bota

Afrohet fundi i armëpushimit mes SHBA-së

Bardhyl Bajrami /RTK

Irani ende nuk ka marrë vendim nëse do të dërgojë një delegacion në Pakistan për raundin e ri të bisedimeve me Shtetet e Bashkuara, ndërsa koha për arritjen e një marrëveshjeje po mbaron.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmail Baghaei, deklaroi se Teherani ka hyrë në negociata me mirëbesim, por akuzoi SHBA-në për mungesë serioziteti dhe ndryshim të vazhdueshëm të qëndrimeve. Ai shprehu shqetësim për bllokadën detare amerikane, konfiskimin e një anijeje iraniane dhe kërcënimet për shkatërrimin e infrastrukturës së vendit.

Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump është shprehur optimist për një marrëveshje, duke thënë se Irani, nuk ka zgjidhje tjetër veçse të dërgojë delegatë, për bisedime. Megjithatë, ai paralajmëroi se nuk ka shumë kohë dhe nuk përjashtoi mundësinë e rikthimit të bombardimeve nëse nuk arrihet një marrëveshje.

Në të njëjtën kohë, Pakistani po përpiqet të ndërmjetësojë krizën. Ministri i Informacionit, Attaullah Tarar, konfirmoi përpjekjet për të bindur Iranin të marrë pjesë në bisedime, ndërsa zëvendëskryeministri Ishaq Dar theksoi rëndësinë e dialogut dhe diplomacisë si rruga e vetme drejt paqes.

Ndërkohë, tensionet janë rritur edhe në terren. Irani ka dënuar një incident në Gjirin e Omanit, ku një anije luftarake amerikane hapi zjarr ndaj një anijeje me flamur iranian, duke e cilësuar këtë si shkelje të armëpushimit dhe pirateri të armatosur.

Në sfondin e krizës, Donald Trump ka sugjeruar edhe mbështetje financiare për aleatët në Gjirin Persik, si Emiratet e Bashkuara Arabe, ndërsa ka kritikuar sërish NATO-n dhe vendet evropiane për mungesë angazhimi.

Pavarësisht toneve të ashpra, komunikimet diplomatike vazhdojnë, por mbetet e paqartë nëse do të krijohen kushtet për rifillimin e negociatave përpara skadimit të armëpushimit.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota