Tensione të larta në Hormuz dhe Liban, frikë për përshkallëzim tensionesh
BKT
Rajoni dhe Bota

Tensione të larta në Hormuz dhe Liban, frikë për përshkallëzim tensionesh

Bardhyl Bajrami / RTK

Tensionet në Ngushticën e Hormuzit mbeten të larta pas sulmeve ndaj anijeve tregtare dhe kapjes së disa prej tyre nga Irani, ndërsa përpjekjet diplomatike për uljen e krizës vazhdojnë.

Një nga anijet e sulmuara, “Euphoria”, është ankoruar pranë Emirateve të Bashkuara Arabe, pa raportime për dëme serioze apo të lënduar. Ndërkohë, Irani ka deklaruar se ka kapur edhe dy anije të tjera, “MSC Francesca” dhe “Epaminondas”, të cilat pësuan dëmtime gjatë sulmeve, megjithëse statusi i tyre mbetet ende i paqartë.

Autoritetet greke konfirmuan sulmin ndaj anijes “Epaminondas”, por nuk mundën të verifikojnë nëse ajo është ndaluar nga Irani. Sipas raportimeve, një anije e Gardës Revolucionare iraniane hapi zjarr ndaj saj, duke shkaktuar dëme të mëdha.

Sulmet vijnë pasi Irani njoftoi mbylljen e Ngushticës së Hormuzit më 18 prill, një zhvillim që rrit rrezikun për transportin global të energjisë dhe tregtinë ndërkombëtare.

Në planin diplomatik, presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se është e mundur që një raund i ri bisedimesh me Iranin të nisë brenda pak ditësh, pasi armëpushimi u zgjat për t’i dhënë kohë negociatave.

Ndërkohë, Irani ka raportuar edhe zhvillime të brendshme, përfshirë ekzekutimin e disa personave të akuzuar për spiunazh për Mossad dhe lidhje me grupe opozitare. Autoritetet iraniane mohuan raportimet për ekzekutime të tjera të afërta, duke i cilësuar ato si lajme të rreme.

Në anën tjetër, situata në Liban po përkeqësohet, pavarësisht një armëpushimi të përkohshëm mes Izraelit dhe Hezbollahut. Presidenti libanez Joseph Aoun dënoi vrasjen e një paqeruajtësi francez të misionit UNIFIL, ndërsa presidenti francez Emmanuel Macron fajësoi Hezbollahun për sulmin, akuzë që u mohua nga grupi.

Sulmet dhe kundërakuzat mes palëve vazhdojnë, me viktima të reja civile dhe ushtarake, duke ngritur shqetësime për qëndrueshmërinë e armëpushimit dhe mundësinë e një përshkallëzimi të ri në rajon.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota