Tensione dhe pasiguri në përpjekjet për rifillimin e bisedimeve SHBA–Iran
Bardhyl Bajrami /RTK
Përpjekjet për rifillimin e bisedimeve mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara po përballen me pasiguri të reja, ndërsa tensionet në rajon mbeten të larta dhe rruga drejt një marrëveshjeje vazhdon të jetë e paqartë.
Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se të dërguarit amerikanë, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, nuk do të udhëtojnë më drejt Pakistanit për bisedime me Iranin. Sipas tij, SHBA-ja “i ka të gjitha letrat në dorë” dhe Teherani mund të kërkojë vetë kontakt kur të jetë i gatshëm.
Në të njëjtën kohë, Irani ka paralajmëruar për një reagim të mundshëm nëse vazhdon bllokada detare amerikane në Ngushticën e Hormuzit, duke e cilësuar atë si “rrethim dhe pirateri në det”.
Ndërkohë, ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi ka përfunduar një vizitë në Islamabad, ku është takuar me udhëheqësit pakistanezë, përfshirë kryeministrin Shehbaz Sharif dhe shefin e ushtrisë Asim Munir. Gjatë takimeve, ai ka paraqitur qëndrimet dhe propozimet e Teheranit për përfundimin e konfliktit.
Autoritetet pakistaneze kanë theksuar se dialogu dhe diplomacia mbeten e vetmja rrugë për paqe dhe stabilitet në rajon, duke shprehur gatishmëri për të vazhduar rolin ndërmjetësues mes palëve.
Megjithatë, situata mbetet e pasigurt. Edhe pse Araghchi është larguar nga Pakistani, zyrtarë pakistanezë kanë bërë të ditur se presin rikthimin e tij në ditët në vijim për vazhdimin e përpjekjeve diplomatike.























