SHBA do ta shqyrtojë propozimin e Iranit
Bardhyl Bajrami / RTK
Donald Trump tha se bisedimet për përfundimin e luftës me Iranin po zhvillohen përmes telefonit, pasi Washingtoni nuk dëshiron më udhëtime të gjata drejt Islamabadit pas raundeve të dështuara të negociatave.
Presidenti amerikan theksoi se nuk do të ketë marrëveshje nëse Irani nuk pranon që të mos ketë armë bërthamore. Propozimi i mëparshëm iranian, të cilin Trump e refuzoi, parashihte fillimisht përfundimin e luftës dhe më pas diskutimin për çështjen bërthamore.
Këshilltari i lartë ushtarak iranian, Mohsen Rezaei, deklaroi se Irani “nuk do ta tolerojë” vazhdimin e bllokadës detare amerikane. Sipas tij, nëse bllokada vazhdon, Teherani do të përgjigjet.
Ai gjithashtu hodhi poshtë zërat për gjendjen e liderit suprem Mojtaba Khamenei, duke thënë se ai është “i ri, i shëndetshëm dhe energjik” dhe po drejton punët e shtetit.
Mes ngërçit diplomatik, Trump publikoi një imazh simbolik në rrjetet sociale me mesazhin: “NO MORE MR. NICE GUY!”, duke sinjalizuar qëndrim më të ashpër ndaj Iranit.
Ndërkohë, ai zhvilloi edhe një bisedë 90-minutëshe me presidentin rus Vladimir Putin, ku u diskutuan armëpushimi me Iranin dhe lufta në Ukrainë. Trump tha se Putin ka ofruar ndihmë lidhur me rezervat iraniane të uraniumit.























