Real Madridi fiton ndaj Espanyolit, vëmendja zhvendoset në “El Clásico”
M.Shefkiu/RTKLive
Real Madridi ka shënuar fitore të rëndësishme si mysafir ndaj Espanyolit me rezultat 2-0, duke e mbajtur gjallë garën për titull në La Liga dhe duke e shtyrë festën e Barcelonës.
Me këtë triumf, madrilenët vazhdojnë ndjekjen e kreut të tabelës, ndërsa vëmendja tashmë zhvendoset te java e ardhshme, ku zhvillohet “El Clásico”, ndeshje që pritet të jetë vendimtare për fatin e kampionatit.
Ndeshja nisi me ritëm të lartë, ndërsa Real Madridi krijoi rastin e parë serioz që në minutën e 8-të, kur Vinicius Junior goditi shtyllën.
Në minutën e 14-të, skuadra e Carlo Ancelottit u detyrua të bëjë një zëvendësim të hershëm, pasi Ferland Mendy u lëndua dhe vendin e tij e mori Fran Garcia.
Në pjesën e dytë, Real Madridi e shtoi presionin dhe gjeti golin e epërsisë në minutën e 55-të. Pas një aksioni të shpejtë, Gonzalo Garcia asistoi në zonë, ndërsa Vinicius Junior realizoi për 1-0, me topin që përfundoi në rrjetë pasi preku edhe shtyllën.
Vetëm 11 minuta më vonë, Real Madridi e vulosi fitoren. Jude Bellingham e gjeti Viniciusin në një pozicion ideal, ndërsa braziliani shënoi golin e dytë me një goditje të saktë në këndin e sipërm, për 2-0 (66’).
Me këtë fitore, Real Madridi e shtyn festën e Barcelonës për titull, ndërsa “El Clásico” i javës së ardhshme pritet të jetë përballja kyçe që mund të vendosë kampionin e këtij sezoni në La Liga.























