Tre viktima nga hantavirusi në anije turistike në Atlantik
Bardhyl Bajrami / RTK
Tre persona kanë humbur jetën pas një shpërthimi të dyshuar të hantavirusit në bordin e anijes turistike MV Hondius, e cila po udhëtonte nga Argjentina drejt Ishujve Kanarie dhe aktualisht ndodhet pranë Kepit të Gjelbër.
Sipas kompanisë operuese, viktimat përfshijnë dy shtetas holandezë dhe një gjerman, ndërsa shkaqet e sakta të vdekjeve janë ende nën hetim.
Një shtetas britanik, 69-vjeçar, është rasti i vetëm i konfirmuar me hantavirus dhe ndodhet në gjendje kritike në Johannesburg të Afrikës së Jugut, pasi është evakuuar nga anija për trajtim urgjent. Dy anëtarë të ekuipazhit, një britanik dhe një holandez, gjithashtu shfaqin simptoma të rënda respiratore dhe po trajtohen, ndonëse ende nuk është konfirmuar nëse janë të infektuar me të njëjtin virus.
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka bërë të ditur se në anije janë identifikuar një rast i konfirmuar dhe disa raste të dyshuara, ndërsa situata po monitorohet me urgjencë. Autoritetet e Kepit të Gjelbër kanë ndaluar zbarkimin e pasagjerëve për të mbrojtur popullsinë lokale.
Hantavirusi zakonisht transmetohet nga brejtësit përmes urinës, pështymës apo feçeve dhe mund të shkaktojë sëmundje të rënda respiratore. Ekspertët theksojnë se transmetimi nga njeriu te njeriu është shumë i rrallë dhe rreziku për publikun e gjerë mbetet i ulët.
Ndërkohë, anija me rreth 149 persona në bord mbetet në izolim, ndërsa autoritetet po shqyrtojnë mundësinë e transferimit të pasagjerëve drejt Ishujve Kanarie për kontrolle të mëtejshme mjekësore.
Masat parandaluese në bord përfshijnë izolim, monitorim shëndetësor dhe protokolle të rrepta higjienike.























