Rritet tensioni Rusi-Ukrainë, masa të forta sigurie në Kremlin
BKT
Rajoni dhe Bota

Rritet tensioni Rusi-Ukrainë, masa të forta sigurie në Kremlin

Bardhyl Bajrami / RTK

Një dron ukrainas ka rënë mbi një ndërtesë banimi pranë rrugës Mosfilmovskaya në perëndim të Moskës, duke goditur kompleksin rezidencial “House on Mosfilmovskaya”.

Incidenti ndodhi rreth orës 01:00 të mëngjesit, ku nga përplasja u shkatërruan muret e tre dhomave në një apartament në katin e 36-të. Një pjesë e fasadës ra mbi një veturë të parkuar, ndërsa copa xhami dhe mbeturina u shpërndanë në dhjetëra metra largësi. Ndërtesa ndodhet rreth gjashtë kilometra nga Kremlini.

Autoritetet moskovite njoftuan se mbrojtja ajrore kishte rrëzuar edhe dy dronë të tjerë në drejtim të kryeqytetit, ndërsa Ministria ruse e Mbrojtjes tha se gjatë natës, në territorin rus, janë penguar të mbërrijnë në cak gjithsej 117 dronë ukrainas.

Në anën tjetër, presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyy deklaroi se dronët detarë ukrainas kanë goditur dy cisterna ruse të naftës pranë portit të Novorossiysk në Detin e Zi. Sipas Kievit, anijet ishin pjesë e të ashtuquajturës ?flotë në hije?, që përdoret nga Rusia për të shmangur sanksionet ndërkombëtare.

Zelenskyy falënderoi ushtrinë dhe shërbimet e sigurisë për operacionin, duke theksuar se rezultatet kanë qenë efektive.

Ndërkohë, një raport i një agjencie evropiane të inteligjencës, i publikuar nga CNN, tregon se Kremlini ka rritur ndjeshëm masat e sigurisë për Vladimir Putin. Janë instaluar sisteme mbikëqyrjeje edhe nëpër shtëpitë e stafit të afërt, ndërsa bashkëpunëtorët e tij nuk lejohen të përdorin transportin publik dhe mund të komunikojnë vetëm përmes telefonave pa internet. Vizitorët kontrollohen dy herë para takimeve.

Po ashtu, është kufizuar ndjeshëm lëvizja e Putinit, i cili nuk viziton më shpesh rezidencat e tij tradicionale dhe nuk ka bërë vizita në objekte ushtarake këtë vit. Këto masa janë ndërmarrë pas vrasjes së një gjenerali të lartë rus dhe reflektojnë shqetësime në rritje brenda Kremlinit për destabilitet, probleme ekonomike dhe vështirësi në luftën në Ukrainë.

Sipas raportit, që nga viti 2022, ai kalon periudha të gjata në bunkerë të përforcuar, kryesisht në rajonin e Krasnodarit, ndërsa për publikun shpesh publikohen pamje të regjistruara paraprakisht. Raporti vjen në një kohë kur perceptohet një krizë në rritje rreth Kremlinit, katër vite pas nisjes së luftës në Ukrainë.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota