Gjuajtje pranë Monumentit të Uashingtonit, qëllohet një person
Valbona Thaçi / RTKLive
Një person është qëlluar nga forcat e rendit pranë Monumentit të Uashingtonit, ka bërë të ditur Shërbimi Sekret amerikan, duke shtuar se rrethanat e incidentit mbeten ende të paqarta.
Ngjarja ndodhi pranë rrugës 15 dhe Independence Avenue, jo shumë larg Shtëpisë së Bardhë, duke shkaktuar një reagim të madh të forcave të sigurisë dhe emergjencave. Autoritetet u bënë thirrje qytetarëve të shmangin zonën ndërsa hetimet janë në zhvillim.
Sipas raportimeve të Associated Press, Shtëpia e Bardhë u vendos përkohësisht në izolim si masë sigurie, ndërsa gazetarët u zhvendosën brenda godinës. Megjithatë, aktivitetet e planifikuara në ambientet e saj vijuan pa ndërprerje.
Një burrë i rritur është dërguar në spital, ndërsa një i mitur ka marrë trajtim për lëndime të lehta. Gjendja e personit të qëlluar nuk dihet ende dhe hetimet për incidentin vazhdojnë.























