Arsenal në finale të Champions League, eliminon Atletico Madridin
BKT
Sport

Arsenal në finale të Champions League, eliminon Atletico Madridin

Uran Krasniqi / RTKLive

(E plotësuar, 22:56) - Arsenal është finalisti i parë i Champions League, pasi ka eliminuar Atletico Madrid në gjysmëfinale.

Skuadra londineze e ka siguruar kualifikimin të martën në Londër, ku ka fituar me rezultat minimal 1:0.

Gjatë pjesës së parë në Londër, skuadra angleze ka qenë më kërkuese dhe ka arritur ta konkretizojë epërsinë para pushimit.

Golin vendimtar e ka realizuar Bukayo Saka në minutën e dyzet e katërt, duke shfrytëzuar një top të kthyer brenda zonës.

Në pjesën e dytë, Atletico ka tentuar të reagojë po përpjekjet e shumta të skuadrës spanjolle për ta barazuar rezultatin kanë rezultuar joproduktive. Ani se aty kanë qenë Alvarez, Griezmann e Lookman, mbrojtja e skuadrës londineze nuk ka lëshuar pe, duke minimizuar rrezikun dhe duke bërë që skuadra e tyre të shkojë tutje. 

Ndeshja e parë e zhvilluar në Madrid kishte përfunduar me rezultat të barabartë 1:1, kështu që Arsenal kalon në finale me rezultat të përgjithshëm 2:1.

Në finale, Arsenal do të përballet me fituesin e ndeshjes ndërmjet Bayern Munich dhe Paris Saint-Germain.

Kjo është hera e dytë që Arsenali arrin në finalen e Champions League. Herën e parë ishte në vitin 2006, kur u mposht nga Barcelona me rezultat 2:1.

Arsenal në epërsi ndaj Atletico Madrid pas pjesës së parë

Arsenal është në avantazh pas pjesës së parë në ndeshjen e dytë gjysmëfinale të Champions League kundër Atletico Madrid.

Skuadra londineze ka kaluar në epërsi në minutën e dyzet e katërt me golin e Bukayo Saka. Ai ka realizuar pas një topi të kthyer brenda zonës, duke goditur saktë dhe duke e dërguar topin në rrjetë për rezultatin 1:0.

Ndeshja e parë e zhvilluar në Madrid kishte përfunduar me rezultat të barabartë 1:1.

Me këtë rezultat aktual, Arsenali është më afër finales, por gjithçka mbetet e hapur pasi kanë mbetur edhe dyzet e pesë minuta lojë në pjesën e dytë.