Analistët e RTK-së presin një superduel mes Aston Villës dhe Nottingham
BKT
Sport

Analistët e RTK-së presin një superduel mes Aston Villës dhe Nottingham

Fatmir Bytyqi/RTKLive

Aston Villa dhe Nottingham Forest pritet të zhvillojnë një përballje dramatike në ndeshjen kthyese të gjysmëfinales së UEFA Europa League, duel që do të luhet në stadiumin “Villa Park”.

Skuadra angleze e Nottinghamit e fitoi ndeshjen e parë me rezultat minimal 1:0 në “The City Ground”, duke lënë gjithçka të hapur për sfidën e kthimit që nis sonte nga ora 21:00 dhe që do transmetohet drejtpërdrejt në RTK.

Analistët e RTK-së, ish-futbollisti Genc Sermaxhaj dhe komentatori sportiv Lorik Ibrahimi, presin një duel të fortë dhe me shumë emocione deri në fund.

“Shpresoj se do të shohim një ndeshje interesante dhe të jashtëzakonshme. Rezultati i ndeshjes së parë prej 1-0 është i përmbysshëm nga Aston Villa”, ka deklaruar Sermaxhaj.

Ai shtoi se të dy skuadrat e njohin shumë mirë njëra-tjetrën dhe kjo pritet ta bëjë ndeshjen edhe më taktike.

“Në takimin e parë Nottingham ishte më i kujdesshëm, ndërsa Aston Villa zhvilloi lojën e saj të zakonshme sulmuese. Besoj se sonte do të shohim një ndeshje të madhe, por një përparësi të vogël ia jap Aston Villas”, është shprehur ai.

Në anën tjetër, Ibrahimi vlerëson se eksperienca e trajnerit Unai Emery mund të jetë vendimtare për skuadrën vendase.

“Mendoj se Aston Villa është pak më e relaksuar për shkak të pozitës në Premier League dhe garës për Champions. Besoj shumë te eksperienca e Unai Emeryt, i cili është trajner i dëshmuar në Ligën e Evropës”, ka thënë Ibrahimi.

Fituesi i kësaj përballjeje do të sigurojë një vend në finalen e madhe të Europa League.