Brukseli skeptik ndaj planit të Merz për anëtarësim të Ukrainës në BE
G.K/RTKlive
Propozimi i kancelarit gjerman Friedrich Merz për t’i dhënë Ukrainës një status “anëtarësimi të asociuar” në Bashkimin Evropian ka shkaktuar reagime të përziera në Bruksel, mes dyshimeve për ligjshmërinë dhe realizueshmërinë politike të idesë.
Sipas një letre të siguruar nga Euronews, Merz propozon një model të veçantë integrimi, që do t’i mundësonte Ukrainës pjesëmarrje në institucionet dhe forumet e BE-së pa të drejtë vote, si dhe qasje graduale në programe dhe fonde evropiane.
Kancelari gjerman sugjeron gjithashtu që Ukraina të mund të kërkojë ndihmë nga shtetet anëtare në rast agresioni ushtarak, përmes Nenit 42.7 të traktateve të BE-së, të cilin e cilëson si një “garanci të rëndësishme sigurie” kundër Rusisë.
Megjithatë, diplomatë evropianë kanë ngritur pikëpyetje serioze mbi bazën ligjore të planit. Sipas tyre, një status i tillë nuk mund të krijohet pa ndryshime në traktatet e Bashkimit Evropian.
Disa zyrtarë e konsiderojnë të pazakontë edhe kohën e propozimit, teksa BE-ja po përpiqet të bindë Hungarinë të heqë veton ndaj hapjes së negociatave të anëtarësimit me Ukrainën.
Nga ana tjetër, Komisioni Evropian reagoi më pozitivisht, duke theksuar se çdo zgjidhje inovative duhet të respektojë parimin “merit-based”, sipas të cilit vendet kandidate duhet të përmbushin kriteret e përcaktuara për anëtarësim.
Ndërkohë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy ka refuzuar më herët çdo ide për “anëtarësim simbolik”, duke deklaruar se Ukraina po mbron Evropën me sakrifica reale në luftën kundër Rusisë.























