Katër persona humbin jetën në aksident të rëndë në Maqedoninë e Veriut
BKT
Rajoni dhe Bota

Katër persona humbin jetën në aksident të rëndë në Maqedoninë e Veriut

RTKlive

Katër persona kanë humbur jetën si pasojë e një aksidenti të rëndë trafiku që ka ndodhur në qarkoren Radishan–Prishtinë–Mirkovcë në Maqedoninë e Veriut, ku janë përfshirë një veturë e tipit BMW dhe një kamion me targa të Kosovës.

Sipas raportimeve të mediave në Maqedoni të Veriut, përplasja ka qenë jashtëzakonisht e fuqishme, ndërsa menjëherë pas goditjes vetura BMW është përfshirë nga flakët. Si pasojë, katër personat që ndodheshin brenda automjetit kanë humbur jetën në vendngjarje.

“Përplasja ka qenë tepër e fortë, duke bërë që automjeti BMW të përfshihet menjëherë nga flakët. Katër personat që ndodheshin brenda veturës nuk kanë arritur të shpëtojnë”, raportojnë mediat.

Nga goditja e fuqishme, edhe kamioni me targa të Kosovës ka dalë jashtë rrugës, duke përfunduar pranë anës së qarkores.

“Ende nuk ka të dhëna të plota lidhur me gjendjen e drejtuesit të kamionit apo identitetin e viktimave”, thuhet në raportimet fillestare nga vendi i ngjarjes.

Në vendngjarje kanë dalë njësi të shumta policore, zjarrfikës dhe ekipe emergjente, ndërsa autoritetet kompetente kanë nisur hetimet për të sqaruar shkaqet dhe rrethanat e aksidentit tragjik.

Ministria e Brendshme maqedonase ka thënë se 76-vjeçari B.B., shoferi i kamionit nga Kosova, ka humbur kontrollin gjatë vozitjes dhe ka dalë në korsinë e kundërt të autostradës duke e goditur veturën me katër pasagjerë nga Shkupi.

Sipas ministrisë, vetura me targa të Shkupit drejtohej nga një 51-vjeçar i identifikuar, me iniciale R.V., dhe dy të tjerë në veturë që janë identifikuar si 20-vjeçarë me iniciare A.V. dhe P.M. Ndërkohë, një tjetër pasagjer që vdiq nuk është identifikuar ende. Shoferi i kamionit është arrestuar.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota