Reagojnë Dan dhe Rutte: Incidenti me dron rus më seriozi në Rumani
BKT
Rajoni dhe Bota

Reagojnë Dan dhe Rutte: Incidenti me dron rus më seriozi në Rumani

Valbona Thaçi / RTKLive

Presidenti i Rumanisë, Nicușor Dan, ka reaguar për incidentin me dronin rus duke thënë se është “më seriozi” që ka prekur territorin rumun që nga fillimi i luftës në Ukrainë.

Ai ka thirrur mbledhjen e Këshillit Suprem të Mbrojtjes Kombëtare, ku pritet të miratohen “masa proporcionale” ndaj Federatës Ruse.

Në një postim në X, Dan ka deklaruar: “Unë deklaroj, me vendosmërinë më të madhe, se përgjegjësia e plotë për këtë incident i takon Federatës Ruse”.

Ai ka shtuar se dy avionë F-16 janë ngritur në ajër pas zbulimit të dronëve në hapësirën ajrore rumune, ndërsa theksoi se nuk ka pasur kushte të sigurta për shkatërrimin e objektivit pa rrezikuar civilët.

Presidenti Dan ka njoftuar gjithashtu se ka kërkuar vendosjen e kapaciteteve shtesë kundër dronëve nga aleatët, ndërsa Rusia ende nuk ka komentuar incidentin.

Ndërkohë, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka dënuar atë që e quajti “sjellje të pamatur të Rusisë”, duke e cilësuar si “rrezik për të gjithë ne”.

Rutte ka thënë se i ka siguruar presidentit rumun, Nicușor Dan, se NATO “është e gatshme të mbrojë çdo pëllëmbë të territorit aleat”.

Në një postim në X, ai shtoi se Rusia vazhdon të “synojë civilët dhe infrastrukturën civile në Ukrainë” dhe se “nata e kaluar tregoi sërish se pasojat e luftës së saj të paligjshme agresore nuk ndalen në kufi”.

Rutte ka theksuar se NATO do të vazhdojë të forcojë mbrojtjen dhe të mbështesë Ukrainën përballë agresionit rus.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota