Rumania: Rusia mban përgjegjësinë për dronin që ra në Galați
G.K/RTKlive
Rumania ka deklaruar të premten se një dron rus i pajisur me eksploziv është rrëzuar në qytetin lindor të Galați, duke shkaktuar zjarr në çatinë e një ndërtese banimi.
“Ne e konsiderojmë përgjegjësi të plotë të Federatës Ruse që civilët tanë u vunë në rrezik”, tha ministrja e Jashtme e Rumanisë, Oana Țoiu, në një intervistë për Euronews.
Ajo konfirmoi se ekipet në terren kanë vërtetuar se droni ishte me origjinë ruse dhe mbante eksploziv.
Pas incidentit, presidenti rumun Nicușor Dan e shpalli konsullin rus në Constanța persona non grata dhe njoftoi mbylljen e konsullatës ruse në këtë qytet portual në Detin e Zi.
“Ne e konsiderojmë këtë një mesazh të qartë për Rusinë se është e papranueshme dhe se siguria e qytetarëve tanë është prioriteti ynë kryesor”, tha ajo.
Incidenti ka shkaktuar reagime të forta në Evropë.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se Rusia “ka kaluar edhe një vijë tjetër” dhe se BE do të vazhdojë presionin ndaj Moskës, përfshirë përgatitjen e paketës së 21-të të sanksioneve.
NATO e dënoi atë që e cilësoi si “pakujdesi” të Rusisë dhe tha se aleanca do të forcojë mbrojtjen kundër të gjitha kërcënimeve, përfshirë dronët.
Ministrja rumune e Jashtme vlerësoi mbështetjen dhe tha se siguria e një vendi është siguria e të gjithëve, duke bërë thirrje për përshpejtim të sanksioneve të reja ndaj Rusisë.























