Përleshjet në jug të Libanit vazhdojnë pavarësisht armëpushimit
BKT
Rajoni dhe Bota

Përleshjet në jug të Libanit vazhdojnë pavarësisht armëpushimit

Bardhyl Bajrami / RTK

Pavarësisht një plani për armëpushim të pjesshëm të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, përplasjet mes Izraelit dhe Hezbollahut kanë vazhduar në jug të Libanit. Situata mbetet e tensionuar, ndërsa Presidenti amerikan Donald Trump po përpiqet të shmangë një përshkallëzim të mëtejshëm rajonal. Në të njëjtën kohë, Këshilli i Sigurimit i OKB-së ka paralajmëruar se konflikti po rrezikon stabilitetin e gjithë Lindjes së Mesme.

Luftimet në jug të Libanit kanë vazhduar edhe pas pranimit nga Izraeli dhe Hezbollahu të një plani amerikan për armëpushim të pjesshëm. Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se kishte biseduar me të dyja palët dhe se ato ishin pajtuar të ndalonin sulmet, ndërsa Libani njoftoi se Hezbollahu kishte pranuar të ndalonte sulmet ndaj Izraelit dhe Izraeli të mos godiste më Bejrutin.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu konfirmoi marrëveshjen, por theksoi se ushtria izraelite do të vazhdojë operacionet në jug të Libanit dhe se sulmet mund të rifillojnë nëse Hezbollahu vazhdon të godasë qytetet izraelite. Gjatë natës, Hezbollahu raportoi sulme me raketa dhe predha ndaj tankeve izraelite, ndërsa ushtria izraelite tha se kishte interceptuar dy predha të lëshuara nga territori libanez.

Sipas autoriteteve libaneze, avionët izraelitë kryen sulme në disa zona të jugut të vendit, ndërsa Që nga fillimi i konfliktit aktual më 2 mars, mbi 3.400 persona janë vrarë në Liban, ndërsa Izraeli ka raportuar 25 ushtarë dhe katër civilë të vrarë.

Presidenti Trump deklaroi se kishte zhvilluar biseda produktive me Netanyahun dhe me përfaqësues të Hezbollahut, duke shtuar se nuk do të dërgohen trupa izraelite në Bejrut dhe se të dyja palët janë zotuar të ndalin sulmet. Megjithatë, tensionet mbeten të larta, ndërsa Irani ka paralajmëruar se veprimet izraelite në Liban mund të ndikojnë edhe në negociatat mes Teheranit dhe Uashingtonit.

Në një mbledhje të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Ndihmës-Sekretarja e Përgjithshme e OKB-së, Martha Ama Akyaa Pobee, e përshkroi situatën në Liban si "thellësisht alarmuese". Ajo tha se trupat izraelite po avancojnë më tej në territorin libanez, ndërsa Hezbollahu po zgjeron sulmet meraketa dhe dronë më thellë në Izrael.

OKB-ja paralajmëroi se përshkallëzimi i konfliktit mund të ketë pasoja rajonale, veçanërisht pas deklaratave të Iranit për pezullimin e dialogut me SHBA-në dhe kërcënimeve për bllokimin e Ngushticës së Hormuzit. Organizata u bëri thirrje Hezbollahut të bashkëpunojë me shtetin libanez dhe Izraelit të tërheqë forcat nga territori i Libanit, duke respektuar sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota