Bisedime SHBA–Iran: Teherani pesimist, Trump optimist
Sh.Çoçaj/RTKlive
Bisedimet mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara për uljen e tensioneve në Lindjen e Mesme nuk kanë sjellë ende rezultate konkrete, pavarësisht shkëmbimeve të vazhdueshme diplomatike dhe deklaratave kontradiktore nga palët e përfshira.
Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, deklaroi të mërkurën se nuk është arritur “asnjë përparim konkret” në bisedimet me Shtetet e Bashkuara për t’i dhënë fund përshkallëzimit të konfliktit në Lindjen e Mesme, ndërsa tensionet në rajonin e Gjirit Persik vazhdojnë të rriten.
“U shkëmbyen mesazhe rreth nevojës për t’i dhënë fund agresionit kundër Bejrutit, por nuk u arrit asnjë përparim konkret në procesin e negociatave”, tha Araghchi në një intervistë për televizionin libanez Al Mayadeen, cituar nga agjencia iraniane e lajmeve Tasnim.
Kryediplomati iranian paralajmëroi se çdo sulm ndaj kryeqytetit të Libanit mund të ketë pasoja serioze për stabilitetin rajonal.
“Çdo sulm ndaj Bejrutit do të çonte në rishfaqjen e një lufte në shkallë të gjerë”, deklaroi ai.
Komentet e Araghchit bien ndesh me deklaratat optimiste të Presidentit amerikan Donald Trump, i cili më vonë gjatë ditës tha se negociatat po zhvillohen pozitivisht.
“Më thonë se negociatat po shkojnë shumë mirë. Kush e di, ndoshta gjithçka do të përfundojë tashmë këtë fundjavë”, u shpreh Trump nga Zyra Ovale.
Presidenti amerikan theksoi gjithashtu se dëshiron të trajtojë veçmas bisedimet për Libanin nga ato që lidhen me Iranin, ndërsa Teherani vazhdon t’i konsiderojë të dyja çështjet të ndërlidhura.
Ndërkohë, Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi para një komisioni të Kongresit se çështja e uraniumit të pasuruar mbetet një element kyç i negociatave.
“Çështja e uraniumit të pasuruar është qartësisht nën shqyrtim”, tha Rubio, duke pranuar se Irani ende nuk ka dhënë miratimin e tij për propozimet e paraqitura.
Fati i rezervave iraniane të uraniumit të pasuruar vazhdon të mbetet një nga pengesat kryesore drejt arritjes së një marrëveshjeje të mundshme. Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli e akuzojnë Iranin se synon të zhvillojë armë bërthamore, pretendim që Teherani e ka mohuar vazhdimisht, duke këmbëngulur se programi i tij bërthamor ka qëllime ekskluzivisht civile.























