11 vende evropiane kërkojnë rregulla më të ashpra për vizat e rusëve
G.K/RTKlive
Një koalicion prej 11 vendesh evropiane po kërkon rregulla më të ashpra për vizat e turistëve rusë, duke argumentuar se udhëtimet turistike drejt BE-së në kohë të luftës në Ukrainë dëmtojnë solidaritetin evropian, dobësojnë presionin ndaj Moskës dhe krijojnë rreziqe të mundshme për sigurinë.
Nisma është udhëhequr nga Suedia, me mbështetjen e Çekisë, Danimarkës, Estonisë, Finlandës, Letonisë, Lituanisë, Holandës dhe Polonisë, si dhe Islandës e Norvegjisë.
Shtetet nënshkruese i kanë dërguar një letër shefes së politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, dhe komisionerit për Punë të Brendshme, Magnus Brunner.
Ministri suedez për Migracionin dhe Azilin, Johan Forssell, deklaroi se synimi është që “të mos ketë më fundjava pazaresh” dhe udhëtime turistike luksoze drejt Evropës, ndërsa lufta në Ukrainë vazhdon.
Në letër theksohet se zbatimi i pabarabartë i udhëzimeve të BE-së për vizat ndaj shtetasve rusë krijon mungesë koherence dhe dobëson qëndrimin e bllokut ndaj Rusisë.
Sipas nismëtarëve, kjo situatë mund të përbëjë edhe rrezik sigurie për zonën Shengen.
Çështja është diskutuar në takimin ministror në Luksemburg, por nuk është marrë ndonjë vendim përfundimtar. / Burimi: Euro News























