SHBA dhe Irani testojnë armëpushimin
BKT
Rajoni dhe Bota

SHBA dhe Irani testojnë armëpushimin

Bardhyl Bajrami / RTK

Situata në Lindjen e Mesme vazhdon të mbetet e tensionuar, pavarësisht përpjekjeve për arritjen e një marrëveshjeje mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit.

Përplasjet ushtarake në Gjirin Persik,  operacionet detare amerikane dhe deklaratat e liderëve botërorë tregojnë se konflikti është ende larg zgjidhjes përfundimtare.

Forcat amerikane publikuan pamje që tregojnë rrëzimin e raketave balistike dhe dronëve iranianë të lëshuar drejt Ngushticës së Hormuzit dhe vendeve të Gjirit. Sipas Komandës Qendrore të SHBA-së (CENTCOM), katër dronë iranianë u neutralizuan, ndërsa më pas u goditën disa sisteme radari bregdetare iraniane në jug të vendit. Irani, nga ana tjetër, lëshoi shtatë raketa drejt objektivave amerikane në Kuvajt dhe Bahrein, shumica e të cilave u interceptuan.

Përplasjet ndodhin në një kohë kur armëpushimi i brishtë i arritur në prill po vihet vazhdimisht në provë. Bisedimet për një marrëveshje më të gjerë kanë ngecur, me Uashingtonin dhe Teheranin që akuzojnë njëri-tjetrin për ndryshim të kushteve dhe shkelje të armëpushimit. Mbyllja e Ngushticës së Hormuzit nga Irani ka vazhduar të ndikojë në tregjet globale të energjisë, pasi përmes saj kalon rreth një e pesta e furnizimeve botërore me naftë dhe gaz të lëngshëm.

Ndërkohë, ushtria amerikane njoftoi se ka ndaluar dhe kontrolluar një anije të sanksionuar pa flamur në Oqeanin Indian, si pjesë e operacioneve kundër rrjeteve që mbështesin Iranin. Uashingtoni deklaroi se do të vazhdojë zbatimin e masave detare kundër aktiviteteve që i konsideron të paligjshme.

Nga Shën Petersburgu, presidenti rus Vladimir Putin mohoi se Moska ka furnizuar Iranin me armë ose informacione ushtarake gjatë konfliktit. Ai tha se Teherani nuk ka kërkuar ndihmë ushtarake nga Rusia dhe shtoi se nuk sheh prova që Irani të ketë provokuar sulmet amerikane dhe izraelite. Putin vlerësoi se zhvillimet e fundit kanë sjellë humbje të mëdha njerëzore dhe kanë përkeqësuar ndjeshëm situatën në rajon.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota