Britania ndalon tanker rus të dyshuar si pjesë e `flotës hije` të Kremlinit
Luan Qorraj /RTK
Kryeministri britanik Keir Starmer ka njoftuar se forcat britanike kanë ndaluar një tanker rus të dyshuar si pjesë e të ashtuquajturës “flotë hije” të Kremlinit, ndërsa po lundronte në Kanalin Anglez.
Starmer bëri të ditur se tankeri, i quajtur “Smyrtos”, do të mbetet i ndaluar në ujërat britanike derisa hetimet të përfundojnë.
Sipas tij, anija ka lundruar nën flamur të huaj dhe është pjesë e rrjetit të ashtuquajtur “flotë hije” të Rusisë, e cila dyshohet se përdoret për të shmangur sanksionet ndërkombëtare.
Gjatë muajve të fundit, autoritetet në disa vende evropiane, përfshirë Francën, kanë ndaluar dhjetëra tankerë të tillë, megjithatë një numër i madh i tyre vazhdon të operojë në dete, duke ndihmuar, sipas vlerësimeve perëndimore, financimin e luftës së Rusisë në Ukrainë.
Zyrtarët britanikë kanë bërë të ditur se kontrollet dhe ndalimet e anijeve të dyshuara do të vazhdojnë edhe në të ardhmen, në rastet kur do të ketë indikacione të ngjashme.























