SHBA-ja dhe Irani nisin bisedimet për paqe në Zvicër
A.B/RTKLive
Zyrtarët amerikanë dhe iranianë kanë mbërritur në Zvicër për bisedime të drejtpërdrejta, pasi javën e kaluar nënshkruan një marrëveshje fillestare për t’i dhënë fund luftës.
Marrëveshja parasheh arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare brenda 60 ditësh, ndalimin e armiqësive në të gjitha frontet, përfshirë Libanin, si dhe rihapjen e Ngushticës së Hormuzit.
Megjithatë, përleshjet e vazhdueshme mes Izraelit dhe grupit të mbështetur nga Irani, Hezbollah, kanë bërë që Teherani të njoftojë mbylljen e kësaj rruge të rëndësishme detare, edhe pse të dhënat tregojnë se anijet kanë vazhduar të kalojnë.
Zëvendëspresidenti amerikan JD Vance tha se SHBA-ja shpreson për përparim në çështjen bërthamore dhe situatën në Liban, ndërsa Irani deklaroi se do të kërkojë që pala tjetër t’i përmbushë zotimet e saj.
Delegacioni amerikan përfshin gjithashtu Jared Kushner dhe të dërguarin special Steve Witkoff. Nga pala iraniane morën pjesë kryetari i parlamentit Mohammad Bagher Ghalibaf dhe ministri i Jashtëm Abbas Araghchi.
Bisedimeve iu bashkuan edhe kryeministri i Pakistanit Shehbaz Sharif dhe shefi i ushtrisë pakistaneze Asim Munir. Pakistani ka luajtur rol ndërmjetësues gjatë konfliktit dhe më herët ka pritur një raund negociatash mes SHBA-së dhe Iranit, raporton BBC.























