Nis funerali për Ali Khamenei
BKT
Rajoni dhe Bota

Nis funerali për Ali Khamenei

Flutura Bekqeli /RTK

Katër muaj pasi u vra në fillim të luftës SHBA-Izrael kundër Iranit, Udhëheqësi Suprem Ali Khamenei do të përkujtohet në një spektakël funerali njëjavor që shtrihet në pesë qytete në dy vende, me miliona të pranishëm që pritet të marrin pjesë.

Pavarësisht një lufte të kushtueshme kundër SHBA-se dhe Izraelit, dy prej ushtrive më të forta në botë dhe dekadave të vështirësive ekonomike shkatërruese, Teherani nuk po kursen asnjë shpenzim për të përcjellë Khamenein në një ceremoni madhështore të mbështjellë me simbolikë fetare që përputhet me festimet e 250-vjetorit të Ditës së Pavarësisë së SHBA-së, thonë analistët.

Autoritetet thonë se kanë nisur një nga përpjekjet më të mëdha logjistike në historinë e Republikës Islamike, duke mobilizuar punonjësit qeveritarë, universitetet, sindikatat, zjarrfikësit, ushtarët, punonjësit e ndihmës dhe madje edhe "grupet fetare të zisë" për të organizuar funeralin dhe për të menaxhuar miliona "pelegrinë" që pritet të udhëtojnë në qytete dhe vende të shenjta në të gjithë Iranin dhe Irakun për t'i dhënë lamtumirën Ajatollahut.

Autoritetet në Irakun fqinj, ku myslimanët shiitë janë shumicë, thonë se miliona të pranishëm pritet të bëjnë homazhe. Për më shumë se dhjetë ditë, mbulimi masiv në mediat iraniane është rritur me këngë homazh dhe dokumentarë mbi jetën e Khameneit që ia kalojnë lajmeve për bisedimet me SHBA-në që më parë kishin dominuar titujt kryesorë.

Në kuadër të ceremonisë, analistët thonë se nuk duhet anashkaluar simbolika, me sa duket e qëllimshme e datave të zgjedhura ku trupi i Khameneit pritet të ekspozohet për homazhe në 250-vjetorin e Pavarësisë së SHBA-së.

Zyrtarët iranianë kanë dhënë vlerësime për shifrat e pjesëmarrjes, që variojnë nga 4 milionë deri në 15 milionë pjesëmarrës derisa sipas tyre rreth 14,000 gazetarë, përfshirë 900 reporterë të huaj, do ta mbulojnë ngjarjen.

Media shtetërore iraniane ka renditur personalitetet e huaja që priten të vijnë. Por përveç Presidentit të Gjeorgjisë, Mikheil Kavelashvili, Kryeministrit të Pakistanit, Shehbaz Sharif dhe zëvendësit të Këshillit të Sigurisë të Rusisë, Dmitry Medvedev, pritet që të marrin pjesë pak udhëheqës botërorë.

Autoritetet iraniane thonë se tetë krerë shtetesh dhe 12 kryetarë parlamentesh do të jenë të pranishëm derisa zyrtarët perëndimorë u përjashtuan nga lista e ftesave.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota