Rutte u kërkon aleatëve plane për shpenzimet e mbrojtjes
BKT
Foto: AA
Rajoni dhe Bota

Rutte u kërkon aleatëve plane për shpenzimet e mbrojtjes

G.K/RTKlive

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, u kërkoi të hënën vendeve anëtare të paraqesin “plane të qarta, konkrete dhe të besueshme” për arritjen e objektivave të aleancës për shpenzimet në mbrojtje, në prag të samitit vjetor në Ankara.

Rutte foli në kryeqytetin turk para nisjes së samitit dyditor të martën, në një moment kur Shtetet e Bashkuara po e zvogëlojnë rolin e tyre në sigurinë e Evropës. Uashingtoni po u kërkon aleatëve të marrin përsipër një pjesë më të madhe të barrës financiare.

Të 32 vendet anëtare ranë dakord vitin e kaluar të investojnë 5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) në mbrojtje – 3.5 për qind për buxhetet e mbrojtjes dhe 1.5 për qind për rrugë, ura dhe porte, në mënyrë që trupat dhe pajisjet ushtarake të lëvizin më shpejt në rast konflikti.

Spanja e mbështeti objektivin, por tha se mund t’i përmbushë kërkesat e sigurisë së NATO-s pa shpenzuar kaq shumë. Disa vende ende kanë vështirësi të arrijnë objektivin e mëparshëm të aleancës prej 2 për qind të PBB-së.

I pyetur se çfarë do të ndodhë me vendet që nuk kanë një plan të qartë, Rutte tha: “Nëse një ose dy prej tyre ende duhet të binden, ne kemi mënyra për ta bërë këtë”, pa dhënë detaje të tjera.

Ambasadori i SHBA-së në NATO, Matthew Whitaker, tha javën e kaluar se administrata amerikane ka diçka në plan për vendet që nuk rrisin shpenzimet, por nuk dha hollësi.

“Presidenti Donald Trump pret plotësisht që të gjithë aleatët të veprojnë menjëherë dhe të nisin rrugën drejt objektivit prej 5 për qind, me urgjencë”, tha Whitaker.

Për shpenzimet e vendeve evropiane dhe Kanadasë, Rutte tha se “provat që kemi parë deri më tani janë mbresëlënëse”. Sipas tij, NATO vlerëson se ato do të investojnë së bashku 258 miliardë dollarë më shumë në mbrojtje gjatë vitit 2025 dhe këtij viti, krahasuar me vitet e mëparshme.

Megjithatë, këto shifra mund të mos jenë të mjaftueshme për administratën Trump. Trump ka kritikuar vazhdimisht aleatët për nivelin e shpenzimeve në mbrojtje dhe më parë ka kërcënuar se SHBA-ja mund të mos mbrojë vendet anëtare që nuk kontribuojnë mjaftueshëm.

Trump ka kërkuar gjithashtu “besnikëri” nga aleatët e NATO-s, pasi disa prej tyre nuk lejuan përdorimin e bazave të tyre ushtarake gjatë luftës SHBA-Izrael kundër Iranit.

Administrata Trump po promovon atë që e quan “NATO 3.0”, një vizion sipas të cilit Evropa merr përgjegjësi më të madhe për mbrojtjen e saj, duke i lënë SHBA-së mundësinë të përqendrohet në prioritete të tjera.

“Ne kemi nevojë që aleatët tanë në NATO të marrin role udhëheqëse, dhe nuk e kam fjalën vetëm për mbështetje me fjalë, por edhe për autoritetin moral dhe busullën morale të aleancës”, tha Whitaker. / Burimi: Associcated Press


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota