Franca miraton projektligjin për vdekjen e asistuar
RTK
Është miratuar përfundimisht projektligji që legalizon vdekjen e asistuar për të rriturit me sëmundje të pashërueshme në Asamblenë Kombëtare të Francës.
Ky projektligj ishte shoqëruar ndër vite me debat, ndërkaq dje u miratua me 291 vota pro dhe 241 kundër. Para se të hyjë në fuqi, ai pritet të shqyrtohet nga Këshilli Kushtetues i Francës.
Sipas projektligjit, personat që plotësojnë kushtet do të mund të marrin një substancë vdekjeprurëse për ta administruar vetë. Nëse nuk janë fizikisht në gjendje ta bëjnë këtë, ndihma mund të jepet nga një profesionist shëndetësor.
Për t’u kualifikuar, pacienti duhet të jetë i rritur, shtetas francez ose banor i ligjshëm i Francës, të vuajë nga një sëmundje e rëndë dhe e pashërueshme në fazë të avancuar ose terminale, të përjetojë vuajtje të vazhdueshme fizike ose psikologjike dhe të shprehë vullnetin e tij në mënyrë të lirë dhe të informuar.
Ligji parashikon vlerësime të shumta mjekësore, një periudhë reflektimi dhe të drejtën e mjekëve e infermierëve për të refuzuar pjesëmarrjen për arsye ndërgjegjeje.























