Merz: Koalicioni qeverisës "ka gjetur ritmin e vet"
DW
Pavarësisht rezultateve të dobëta në sondazhe, kancelari Merz deklaroi në konferencën për shtyp se koalicioni qeverisës "ka gjetur ritmin e vet". Ai tërhoqi vëmendjen e votuesve lidhur me AfD-në, pjesërisht ekstremiste.
Konferenca vjetore verore për shtyp e kancelarit federal është një nga angazhimet e fundit përpara se edhe Friedrich Merz të nisë pushimet. Në sallën e Konferencës Federale të Shtypit nuk kishte vende të lira.
Gazetarët panë një kancelar që përçonte siguri dhe vetëbesim. Kjo pavarësisht sondazheve të dobëta, sipas të cilave vetëm 13 deri në 20 për qind e njerëzve në Gjermani janë të kënaqur me punën e tij dhe të koalicionit të tij të përbërë nga konservatorët dhe socialdemokratët.
"Koalicioni e ka gjetur ritmin e vet", tha Merz. Ai shtoi: "Bilanci është pozitiv. Qeveria federale e ka gjetur ritmin e saj, pavarësisht disa kritikave. Ne kemi dhënë rezultate."
Me këtë, Merz u referohet reformave të miratuara, por ende jo të konfirmuara nga parlamenti, në fushat e pensioneve, sistemit shëndetësor dhe taksave, të cilat ai i shpjegoi në detaje.
Ai lavdëroi reformën e planifikuar të pensioneve, e cila për herë të parë parashikon që një pjesë e vogël e fondeve të investohet në tregjet e kapitalit. Merz tha: "Këtë do të duhej ta kishim bërë që para 30 vitesh, si suedezët, danezët, holandezët dhe shumë vende të tjera në botë që e kanë bërë prej kohësh. Por të paktën tani po fillojmë."
Gazetarët pyesin kryesisht për AfD-në
Pavarësisht reformave, pyetjet e shumë gazetarëve u përqendruan te Alternativa për Gjermaninë (AfD), e cila në disa pjesë klasifikohet si ekstremiste e djathtë dhe që, para dy zgjedhjeve rajonale në landet lindore në shtator, kryeson në sondazhe.
Si do ta pengojë Merz që ekstremistët e djathtë të marrin pushtetin për herë të parë në Gjermani?
Fillimisht ai iu shmang përgjigjes. Vetëm pas një pyetjeje shtesë kancelari iu drejtua drejtpërdrejt votuesve në Saksoni-Anhalt dhe Mecklenburg-Pomeraninë Perëndimore: "Shikoni me kujdes, mos u informoni vetëm nga aktivitetet në rrjetet sociale, pavarësisht se ku zhvillohen ato. Shikoni se çfarë po përpiqet të realizojë qeveria federale."
Në përgjigje të një pyetjeje nga një gazetar holandez, Merz tha se është "diçka krejt tjetër" kur pikërisht në Gjermani, me të kaluarën e saj nacional-socialiste, ekstremistët e djathtë mund të kërkojnë sërish pushtetin.
Pavarësisht sondazheve dhe raporteve jo të favorshme, Merz u shfaq optimist para zgjedhjeve të shtatorit: "Fushatat zgjedhore sapo po fillojnë. Unë jam dhe mbetem optimist se do të arrijmë të parandalojmë që AfD të sigurojë shumicën e mandateve në parlamentet rajonale, veçanërisht në Saksoni-Anhalt dhe Mecklenburg-Pomeraninë Perëndimore."
Në shtator nuk do të votohet vetëm në këto dy lande lindore, por edhe në kryeqytetin Berlin, i cili është njëkohësisht edhe land federal.
Kritikë e qartë ndaj një programi amerikan financimi
Në një pyetje të Deutsche Welle-s, Merz komentoi një program prej pesë milionë dollarësh të Departamentit Amerikan të Shtetit, i cili synon të financojë organizata në Evropë dhe mund të mbështesë grupe të afërta me AfD-në.
Merz u përgjigj: "Unë e kam thënë gjithmonë se ne nuk ndërhyjmë në zgjedhjet amerikane. Këtë e kemi respektuar gjithmonë. Dhe në të kundërt, nuk dua që institucionet amerikane të ndërhyjnë në zgjedhjet gjermane."
Ai shtoi: "Është e paligjshme që partitë politike në Gjermani të financohen nga jashtë."
Dhe kritikë ndaj politikës doganore të Donald Trumpit
Megjithë problemet ekzistuese, Merz u përpoq të transmetonte optimizëm. Infrastruktura e amortizuar, polarizimi në rritje i shoqërisë dhe veçanërisht ekonomia që po ecën ngadalë shqetësojnë shumë qytetarë.
Edhe vetë Merz pranoi se në aspektin ekonomik ka ende shumë punë për të bërë: "Kemi arritur shumë, por është ende shumë larg të qenit e mjaftueshme."
Sipas tij, sfida kryesore është rikthimi i konkurrueshmërisë së ekonomisë gjermane. Vetëm në këtë pikë ai iu referua presidentit amerikan Donald Trump, pa e përmendur me emër. Sipas Merzit, politika doganore e qeverisë amerikane "i ka shkaktuar dëm" ekonomisë gjermane.
Merz mbron propozimin për asociimin e Ukrainës me BE-në
Në përgjigje të një pyetjeje tjetër të Deutsche Welle-s, Merz sqaroi sërish propozimin e tij të diskutueshëm që Ukrainës, e cila ndodhet nën presion të madh për shkak të luftës, t'i ofrohet fillimisht vetëm një perspektivë asociimi me Bashkimin Evropian, pa të drejtë vote.
Merz tha se ukrainasit duhet të informohen me ndershmëri se rruga drejt Evropës është më e vështirë sesa mendohej fillimisht. Megjithatë, ai mbështet hapa të vegjël, por të vazhdueshëm. "Aktualisht kemi pesë shtete të Ballkanit Perëndimor si dhe Moldavinë dhe Ukrainën si anëtare të mundshme të ardhshme të Bashkimit Evropian. Ato presin që BE-ja të ndërmarrë hapat e ardhshëm."
Ai theksoi se BE-ja nuk ka pranuar anëtarë të rinj prej 13 vitesh, megjithëse janë bërë shumë premtime. Prandaj, sipas tij, nevojiten hapa të vegjël, por të sinqertë, për të ruajtur besueshmërinë e Bashkimit Evropian.
"Nëse e humbim këtë besueshmëri, i humbasim edhe këto vende", theksoi Merz.
Në fund, pak autokritikë nga kancelari
Në një moment, Friedrich Merz tregoi edhe vetëkritikë. Gjatë fushatës zgjedhore, rreth një vit e gjysmë më parë, ai kishte premtuar se do t'i jepte fund marrjes së borxheve të reja. Megjithatë, pak më vonë ai mbështeti një paketë gjigante borxhesh për forcimin e Bundeswehrit, mbrojtjen e klimës dhe zhvillimin e infrastrukturës.
Ai pranoi se kjo përbën: "Një ngarkesë të konsiderueshme edhe për besueshmërinë time personale."
Ky ishte një nga momentet e rralla kur Merz shprehu dyshime për politikat e tij. Megjithatë, ai shtoi se koalicioni mes konservatorëve dhe socialdemokratëve do të vazhdojë të qeverisë me qetësi dhe vendosmëri.























