Mbi 850 zjarre aktive përfshijnë Kanadanë, tymi arrin deri në SHBA
Bardhyl Bajrami / RTK
Kanadaja po përballet me një nga sezonet më të rënda të zjarreve pyjore të viteve të fundit, me qindra vatra aktive që po përhapin tym të dendur drejt provincës së Ontarios dhe pjesëve verilindore të Shteteve të Bashkuara, duke shkaktuar evakuime dhe paralajmërime shëndetësore.
Sipas Qendrës Ndërinstitucionale Kanadeze për Zjarret Pyjore, aktualisht në Kanada janë aktive mbi 850 zjarre pyjore, ndërsa tymi i tyre është përhapur në Ontario dhe në disa shtete të verilindjes së SHBA-së.
Pamje të publikuara në rrjetet sociale tregojnë një mjegull të dendur portokalli mbi Toronton dhe qytete të tjera të Ontarios, si dhe mbi pjesë të shteteve amerikane si Nju Jorku dhe Masaçusets.
Situata ka detyruar autoritetet të urdhërojnë evakuime në zonat pranë qytetit Thunder Bay, në brigjet e Liqenit Superior.
Në të njëjtën kohë, rajoni po përballet edhe me një valë të fortë të nxehti të shkaktuar nga fenomeni i njohur si "kupola e nxehtësisë", e cila së bashku me ndotjen e ajrit nga tymi ka shtyrë autoritetet të këshillojnë grupet më të rrezikuara të qëndrojnë brenda dhe të përdorin maska mbrojtëse.
Ndërkohë, një video që është shpërndarë gjerësisht në rrjetet sociale tregon një tren të rrethuar nga flakët pranë Armstrongut në veri të Ontarios.
Autoritetet njoftuan se nuk ka pasur të lënduar dhe i gjithë ekuipazhi i trenit është evakuuar në mënyrë të sigurt.























