Bota riarmatoset dhe Koreja e Jugut synon të përfitojë
DW
Armatimet e prodhuara në Korenë e Jugut janë shumë të kërkuara për shkak të besueshmërisë, afateve të shkurtra të dorëzimit dhe çmimeve relativisht të ulëta.
Industria e mbrojtjes e Koresë së Jugut u prek nga vendimi i fundit i qeverisë kanadeze për të zgjedhur një model gjerman për nëndetëset e saj të brezit së ardhshëm, por ajo ka vepruar shpejt për të siguruar një pjesë më të madhe të shpenzimeve globale në rritje për mbrojtjen.
Korea e Jugut prej kohësh ka mbajtur një sektor të fortë të mbrojtjes, me qëllim mbrojtjen e vendit nga një regjim luftarak dhe i paparashikueshëm përtej kufirit në Korenë e Veriut.
Megjithatë, qeveritë e njëpasnjëshme në Seul gjithashtu kanë vendosur më shumë theks në zhvillimin e tregjeve të eksportit gjatë dekadës së fundit. Kjo strategji ka dhënë fryte që nga sulmi në shkallë të gjerë i Ukrainës nga Rusia në shkurt 2022.
"Korea e Jugut ndodhet në një situatë unike politike dhe gjeopolitike për shkak të Koresë së Veriut dhe varësisë sonë të madhe nga prania ushtarake amerikane për sigurinë tonë," tha Park Saing-in, ekonomist në Universitetin Kombëtar të Seulit.
"Por qeveritë e njëpasnjëshme kanë kërkuar të bëhen më të pavarura në aspektin e pajisjeve që furnizojnë forcat tona të armatosura, dhe qeveria ka bërë investime të konsiderueshme në kërkim dhe zhvillim brenda kompanive mbrojtëse, duke i mundësuar atyre të maten me vendet e tjera," shpjegoi ai për DW.
Kthimi në eksportues të madh i pajisjeve të mbrojtjes
Artikujt e nivelit të lartë ende blihen te SHBA — si avionët luftarakë të padukshëm F-35 Lightning II — por prodhuesit koreanojugorë të armëve janë specializuar në prodhimin e sistemeve të armëve dhe pajisjeve me rreze të mesme, që mund të dorëzohen tek blerësit shpejt dhe me një kosto relativisht të ulët, pasi prodhuesit tashmë kanë linja prodhimi në funksionim.
Cheongung-II, për shembull, është projektuar për të interceptuar raketa balistike dhe avionë në një rreze deri në 40 kilometra (24.8 milje). Ashtu si Patriot-i i prodhuar në SHBA , Koreja e Jugut u shiti 10 bateri Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA) në vitin 2022, dhe sistemi tërhoqi vëmendjen e analistëve të mbrojtjes duke arritur një shkallë kapjeje prej 96 për qind gjatë sulmeve të para me raketa në konfliktin aktual në Lindjen e Mesme.
Çdo interceptues vlerësohet se kushton 1.1 milion dollarë (970,000 euro) — një shifër dukshëm më e ulët se ajo e interceptuesve Patriot, të cilët mund të kushtojnë disa milionë dollarë secili — dhe prodhuesi koreanojugor mund të dorëzojë një sistem të plotë brenda afërsisht një viti. Koha e dorëzimit për një bateri Patriot është të paktën katër vjet.
Si rezultat, në vitet e fundit, Koreja e Jugut është bërë një nga eksportueset kryesore të armëve në botë.
Në vitin 2025, eksportet e saj të armëve arritën në 15.400 milionë dollarë, sipas gazetës Seoul Economic Daily, e cila citon Administratën e Programit të Prokurimit të Mbrojtjes (DAPA). Eksportet arritën kulmin në 17.300 milionë dollarë në vitin 2022.
Kompanitë koreanojugore gjithashtu kanë diversifikuar gamën e produkteve të tyre. Në të kaluarën, vendi mbështetej shumë në trashëgiminë e tij të ndërtimit të anijeve për të furnizuar me anije lufte, përkrah sistemeve artilerie dhe avionëve. Që atëherë, gama e produkteve të saj është zgjeruar për të përfshirë automjete të blinduara, raketa dhe sisteme mbrojtjeje ajrore.
Europa është treg kyç për Korenë e Jugut
Vendet evropiane — të tronditura nga agresioni i Rusisë kundër Ukrainës dhe të dobësuara nga vitet e nëninvestimit në mbrojtje — kanë qenë tregje kyçe.
Polonia ka qenë blerësi më i madh në vitet e fundit, duke përbërë mbi 40 për qind të eksporteve totale të Koresë së Jugut. Varshava ka porositur 364 topa vetëlëvizës K9 Thunder 155 mm të personalizuar dhe 360 tanke luftarake kryesore K2 Black Panther, të njohura si nga tanket më efektive në botë.
Polonia gjithashtu po blen lëshues të shumëfishtë raketash K239 Chunmoo, 48 avionë luftarakë të lehtë dhe për trajnim FA-50, dhe 1266 automjete luftarake me katër rrota 'Legwan'.
Modernizimi drastik i pajisjeve ushtarake të Polonisë i ka mundësuar Varshavës të transferojë pajisjet e saj të vjetra, nga epoka sovjetike, në Ukrainë.
Në pjesë të tjera të Evropës, Finlanda, Estonia, Norvegjia dhe Rumania kanë blerë topa obusë K9, ndërsa priten gjithashtu marrëveshje për shitjen e tankeve kryesore të luftës K2 dhe mjeteve luftarake për këmbësorinë 'Redback', të cilat Ushtria Australiane gjithashtu po i blen në një marrëveshje me vlerë 2.400 milionë dollarësh australianë (1.460 milionë euro).
Marrëveshje për raketa, anije luftarake dhe avionë
Përveç Emirateve të Bashkuara Arabe, Arabia Saudite ka blerë sistemin e mbrojtjes raketore Cheongung-II, dhe pritet që edhe Iraku ta ndjekë shembullin. Vietnami dhe Filipinet janë në negociata për anije patrullimi ushtarake dhe avionë FA-50. Peruja ka nënshkruar një marrëveshje me Hyundai Heavy Industries për një projekt detar dhe po negocion blerjen e tankeve K2 dhe mjeteve të blinduara K808.
Në maj, presidenti i Koresë së Jugut, Lee Jae-myung, mori pjesë në ceremoninë e prezantimit të avionit të parë luftarak KF-21, të zhvilluar në vend, një projekt në të cilin ka marrë pjesë edhe Indonezia dhe nga i cili pritet të blejë disa avionë.
"Forca e kompanive mbrojtëse të Koresë së Jugut qëndron në aftësinë e tyre për të prodhuar pajisje me cilësi të lartë, brenda afateve të shkurtra kohore dhe me çmime relativisht të ulëta," tha Park.
"Dhe kjo ka qenë e rëndësishme për ekonominë në tërësi, pasi Koreja e Jugut mbështetej tepër në vetëm gjashtë ose shtatë sektorë për një kohë të gjatë," shtoi ai. "Dhe megjithëse Koreja e Jugut mbetet e fortë në gjysmëpërçues, makina dhe anije, ne kemi humbur terren në sektorë të tjerë — si kimikatet — ndaj Kinës."
Chun In-bum, gjeneral në pension i ushtrisë së Koresë së Jugut dhe aktualisht studiues i lartë në Institutin Kombëtar për Studime të Pengimit, vuri në dukje se kompanitë koreanojugore më parë kishin arritur të identifikonin dhe përmirësonin produktet për konsumatorët, si televizorët, dhe t'i shisnin ato me çmime më të ulëta se konkurrentët e tyre të huaj.
Tani ata kanë bërë të njëjtën gjë edhe në sektorin e pajisjeve ushtarake, theksoi ai."Ne jemi një komb me një industri të fortë prodhuese; kemi qenë të hapur ndaj teknologjisë së huaj dhe kemi qenë të zotë në arritjen e vendeve të tjera," tha ai, duke shtuar se ky ishte një lloj imperativi kombëtar duke pasur parasysh kërcënimin që paraqet Koreja e Veriut.
Një avantazh në fushën e betejës
Jo të gjitha sistemet e armëve të prodhuara në vend kanë rezultuar të suksesshme, dhe Chun vuri në dukje mangësitë e helikopterëve të prodhuar në Korenë e Jugut. Megjithatë, vende të tjera kanë identifikuar shpejt sistemet që do t'u japin një avantazh në fushën e betejës dhe i kanë siguruar ato në sasi të konsiderueshme.
"Ndoshta nuk janë më të mirët në botë, por janë të disponueshëm shpejt, dimë që funksionojnë, kanë çmim konkurrues dhe, në përgjithësi, janë pjesë e një marrëveshjeje për mirëmbajtjen e ardhshme të sistemeve," shpjegoi ai. "Për vendet që kanë nevojë për diçka menjëherë, e gjithë kjo është shumë tërheqëse."
Park shton, megjithatë, një paralajmërim lidhur me sektorin e mbrojtjes, duke theksuar se biznesi po lulëzon në një kohë pasigurie globale të paprecedentë. Por sektori nuk mund të mbështetet në këtë që të zgjasë përgjithmonë.
"Kompanitë koreane po ecin mirë në këtë moment, por në plan afatgjatë, parashikoj që vendet evropiane dhe anëtarët e tjerë të NATO-s të përpiqen të zhvillojnë industritë e tyre për të përmbushur kërkesën e ardhshme," tha ai. "Dhe për këtë arsye është e rëndësishme që Koreja e Jugut të nxisë krijimin e një partneriteti që shkon përtej shitjeve dhe zgjerohet në kërkim dhe zhvillim të përbashkët, prodhim dhe vendosje".























