SHBA nis sulme hakmarrëse ndaj Iranit pas vdekjes së dy ushtarëve amerikanë
B.H./RTKlive
Shtetet e Bashkuara kanë nisur sulme hakmarrëse ajrore ndaj Iranit, pas vdekjes së dy ushtarëve amerikanë në një sulm iranian ndaj Jordanisë.
Komanda Qendrore e Ushtrisë amerikane (CENTCOM) njoftoi se sulmet e reja kanë nisur me qëllim dobësimin e aftësisë së Iranit për të kërcënuar transportin detar në Ngushticën e Hormuzit, si dhe për të goditur Gardën Revolucionare iraniane.
Sipas CENTCOM-it, sulmet synojnë të "ndëshkojnë shpejt" Gardën Revolucionare, të cilën SHBA-ja e akuzon për sulmet ndaj forcave amerikane në Jordani.
Ushtria amerikane bëri të ditur se dy ushtarë të saj u vranë të premten gjatë një operacioni në Jordani, ndërsa forcat amerikane dhe aleatët e tyre po përpiqeshin të mbroheshin nga sulmet me raketa dhe dronë të nisura nga Irani. Një tjetër ushtar amerikan rezulton ende i zhdukur.
Presidenti amerikan Donald Trump e cilësoi vdekjen e ushtarëve si një "gjë shumë të trishtueshme".
"Është një gjë shumë e trishtueshme", tha Trump, duke paralajmëruar reagim ndaj sulmeve iraniane.
Sipas të dhënave të ushtrisë amerikane, këto janë sulmet e shtata radhazi gjatë natës ndaj objektivave në Iran. Në shënjestër, sipas CENTCOM-it, kanë qenë kryesisht infrastruktura ushtarake.
Përshkallëzimi i ri vjen në një kohë kur tensionet mes Uashingtonit dhe Teheranit janë rritur ndjeshëm, ndërsa ekspertët paralajmërojnë se konflikti mund të zgjerohet më tej në rajonin e Lindjes së Mesme.























