Sulme të reja amerikane ndaj Iranit, tensione në Hormuz
Sh.Çoçaj/RTKlive
Konflikti mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit ka hyrë në natën e njëmbëdhjetë të sulmeve ajrore amerikane. Sipas Komandës Qendrore të SHBA-së (CENTCOM), objektivat e fundit përfshinë qendra të operacioneve ushtarake, hangarë avionësh, depo dronësh dhe infrastrukturë logjistike, me synimin për të dobësuar aftësitë iraniane për të kërcënuar lundrimin në Ngushticën e Hormuzit.
Mediat shtetërore iraniane raportuan se mbrojtja ajrore u aktivizua në Teheran, ndërsa shpërthime u dëgjuan edhe në disa rajone të tjera të vendit, përfshirë zonën e Bushehrit, ku ndodhet centrali bërthamor. Autoritetet iraniane nuk kanë publikuar një bilanc të dëmeve apo viktimave.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se Irani nuk po tregohet serioz në negociatat me Uashingtonin dhe paralajmëroi se çdo përpjekje për të kontrolluar Ngushticën e Hormuzit do të krijonte një precedent të rrezikshëm për rendin ndërkombëtar.
"Nëse krijojmë një precedent ku një shtet mund të kontrollojë një rrugë ujore ndërkombëtare, atëherë rrezikohet një parim themelor – liria e lundrimit. Nëse kërcënohet ajo, kërcënohet edhe ekonomia globale," tha Rubio.
Edhe sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, tha se ushtria amerikane vazhdon operacionet për të garantuar kalimin e sigurt të anijeve tregtare përmes Hormuzit. Sipas tij, Irani ruan ende aftësinë për të sulmuar transportin detar, ndërsa kostoja e operacioneve ushtarake amerikane ka arritur në rreth 37.5 miliardë dollarë.
Ndërkohë, kompania franceze e transportit detar CMA CGM njoftoi se nga 1 gushti do të vendosë një tarifë shtesë emergjente për transportin përmes rajonit, për shkak të rritjes së çmimeve të karburantit dhe përkeqësimit të situatës së sigurisë. Tarifa do të variojë nga 65 deri në 165 dollarë për kontejner.
Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se Irani është "i dëshpëruar për një takim", por theksoi se SHBA-ja nuk është e interesuar për bisedime derisa Teherani të tregojë seriozitet. Ai paralajmëroi gjithashtu se objektivi i ardhshëm mund të jetë kompleksi bërthamor nëntokësor Pickaxe Mountain.
Nga ana tjetër, Garda Revolucionare Islamike (IRGC) deklaroi se, për sa kohë vazhdon "agresioni amerikan", Ngushtica e Hormuzit do të mbetet e mbyllur, duke paralajmëruar se nuk do të lejohet eksporti i naftës, gazit apo produkteve kimike përmes saj.
Paralajmërimet kanë nxitur rritje të mëtejshme të çmimeve të naftës në tregjet ndërkombëtare.
Situata mbetet shumë e tensionuar, ndërsa komuniteti ndërkombëtar vazhdon të ndjekë me shqetësim zhvillimet në një nga korridoret më të rëndësishme të transportit energjetik në botë.























