Zjarrfikësit francezë po luftojnë me zjarret, evakuohet një zonë turistike
Flutura Bekqeli / RTK
Autoritetet franceze kanë urdhëruar evakuimin e të gjithë gadishullit Cap Ferret, në bregun jugperëndimor, ndërsa qindra njerëz po largohen nga zona me varka.
Ndërkohë në Spanjë, në disa zona jo larg Madridit, ndërsa ministri i Brendshëm ka shpallur gjendjen e emergjencës kombëtare.
Dhjetëra mijëra njerëz po evakuohen nga ky destinacion turistik në perëndim të Bordosë, ndërsa zjarrfikësit vazhdojnë të luftojnë me zjarret që kanë përfshirë rajonin e Gironde-s prej ditësh.
Zjarret, të cilat nisën të martën në Saumos, vazhduan të digjeshin gjatë natës, duke shkrumbuar 8 700 hektarë tokë. Ndërkohë, qeveria spanjolle ka shpallur gjendjen e emergjencës kombëtare, pasi zjarret po përhapen jashtë kontrollit në disa zona pranë kryeqytetit, Madrid.
Ministri francez i Brendshëm, Laurent Nuñez, deklaroi se 40 000 njerëz ishin evakuuar tashmë ose ishin në proces evakuimi nga gadishulli, i cili kufizohet nga Oqeani Atlantik në njërën anë dhe Gjiri i Arcachon-it në anën tjetër. Më tej në rajonin Landes të Francës, një tjetër zjarr i madh që nisi të enjten pasdite ka çuar në evakuimin e më shumë se 23,000 personave.
Gjatë natës nuk janë raportuar viktima të tjera në jugperëndim të Francës, ndonëse dy zjarrfikës humbën jetën të martën teksa po luftonin me flakët pranë aeroportit të Bordosë.
Presidenti francez Emmanuel Macron deklaroi të enjten në mbrëmje se situata me zjarret në vend ishte "shumë e tensionuar", veçanërisht në rajonin Gironde.
Macron tha se kishte kërkuar ndihmë nga Bashkimi Evropian dhe se mbështetja do të vinte së shpejti në nga Kroacia, Portugalia, Republika Çeke dhe Sllovakia. Të enjten u evakuuan rreth 20,000 njerëz në rajonin e Gironde-s; shumë prej tyre ishin pushues në zonat e kampingut në gadishull. Publikut i është kërkuar të mos shkojë në zonat e prekura.
Në Spanjë, ndërkaq zjarrfikësit po luftojnë me zjarret në disa zona jo larg Madridit dhe Ministri i Brendshëm, shpalli gjendjen e emergjencës kombëtare ndërsa zjarret përfshinë zona në rajonin e Madridit.
Kryeministri i vendit, Pedro Sánchez deklaroi se zjarret në pyje po "shkatërronin mijëra hektarë" dhe po preknin komunitete të shumta. Shërbimet lokale të emergjencës njoftuan se ishin evakuuar më shumë se 10,000 njerëz. Një përditësim i së premtes në mëngjes i përshkroi të dyja vatrat e zjarrit si "jashtë kontrollit", edhe pse përhapja e tyre gjatë orëve të fundit kishte qenë e "kufizuar".























