Huthët sulmojnë Arabinë Saudite
BKT
Rajoni dhe Bota

Huthët sulmojnë Arabinë Saudite

Flutura Bekqeli/ RTK

Huthët, të mbështetur nga Irani, kanë marrë përsipër përgjegjësinë për një sulm me raketa ndaj Arabisë Saudite, pasi Riadi kreu sulme ndaj objektivave të lidhura me këtë grup të premten. Ndërkohë, ushtria amerikane nuk njoftoi për sulme të reja ndaj Iranit të shtunën, pasi kishte kryer sulme për 13 net radhazi ndaj këtij vendi.

Herët të shtunën, media e Huthëve, "Ansarollah", njoftoi se një "sulm me raketa nga Jemeni" kishte shkaktuar zjarre në qytetin saudit të Jizanit. Autoritetet saudite kishin lëshuar paralajmërime emergjente për këtë provincë.

Grupi ishte zotuar për hakmarrje, pasi Arabia Saudite kreu sulme ajrore ndaj objektivave të Huthëve në qytetin jemenas të Hodeidës dhe në një ishull aty pranë.

Kjo ndodhi në një kohë kur nuk pati raportime për sulme ajrore gjatë natës në rajonin më të gjerë nga ana e SHBA-së ose Iranit, për herë të parë në dy javë. Ushtria amerikane nuk njoftoi për sulme të reja ndaj Iranit të shtunën, pasi kishte kryer sulme për 13 net radhazi ndaj këtij vendi. Gjatë kësaj periudhe, Irani ka kryer gjithashtu sulme me dronë ndaj objekteve dhe bazave ushtarake amerikane në të gjithë Lindjen e Mesme.

Më herët, një delegacion nga Omani mbërriti në Teheran, kryeqytetin e Iranit, për bisedime lidhur me Ngushticën e Hormuzit, raportoi agjencia shtetërore iraniane e lajmeve. Omani kontrollon vijën bregdetare jugore të kësaj ngushtice.

Duke folur me gazetarët në Shtëpinë e Bardhë të premten pasdite, Trumpi vazhdoi të kërcënonte me sulme të mëtejshme, ndërsa tha se negociatat po vazhdonin.

I pyetur për strategjinë e tij të daljes nga lufta me Iranin, Trumpi tha:

"Ekziston një opsion ushtarak, ku ne thjesht vazhdojmë siç jemi, madje mund ta intensifikojmë qasjen dhe të shkatërrojmë gjithçka që ata kanë. Ose ekziston një strategji më e zgjuar: arritja e një marrëveshjeje."

Ushtria amerikane njoftoi se të premten, në Ngushticën e Hormuzit, qëlloi dhe nxori jashtë funksionit një cisternë në Gjirin e Omanit, e cila po përpiqej t'i shmangej bllokadës amerikane ndaj porteve iraniane.

Shqetësimet në rritje lidhur me kërcënimet e reja ndaj transportit detar në Detin e Kuq nga lëvizja Huthi e Jemenit ndikuan që çmimi i naftës së papërpunuar të ngjitej sërish mbi 100 dollarë për fuçi këtë javë, niveli më i lartë që nga muaji maj.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota