Spanja dhe Franca nën pushtetin e zjarreve masive, mijëra banorë evakuohen
BKT
Rajoni dhe Bota

Spanja dhe Franca nën pushtetin e zjarreve masive, mijëra banorë evakuohen

Sh.Ç/RTKlive

Zjarret e fuqishme pyjore kanë përfshirë disa rajone të Spanjës dhe Francës, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme mjedisore dhe duke detyruar qindra mijëra banorë të largohen nga shtëpitë e tyre.

Në Spanjë, vatrat e zjarrit janë përhapur me shpejtësi në zonën e Madridit dhe territoret përreth, duke krijuar fronte zjarri që shtrihen në një distancë prej rreth 200 kilometrash. Raportohet se deri tani janë shkrumbuar rreth 450 mijë hektarë tokë, ndërsa rreth 87 mijë persona janë prekur nga situata emergjente.

Shumë banorë janë evakuuar nga zonat e rrezikuara, ndërsa të tjerëve u është kërkuar të kufizojnë daljet për shkak të tymit të dendur dhe cilësisë së dobët të ajrit.

Kryeministri spanjoll Pedro Sánchez deklaroi se mbrojtja e jetëve njerëzore dhe e zonave të banuara mbetet prioriteti kryesor i autoriteteve, duke paralajmëruar se vendi po përballet me një periudhë të vështirë për shkak të kushteve ekstreme atmosferike.

Presidentja e Madridit, Isabel Díaz Ayuso, e cilësoi situatën si të jashtëzakonshme dhe paralajmëroi se ndryshimet e motit mund të ndikojnë në përhapjen e mëtejshme të flakëve.

Në terren janë angazhuar mbi 2 700 forca të emergjencës, përfshirë Gardën Civile, ushtrinë dhe ekipet zjarrfikëse. Operacionet mbështeten nga mjete të shumta tokësore, si dhe avionë e helikopterë për ndërhyrje nga ajri.

Ndërkohë, në Francë vijon beteja me zjarret në jugperëndim të vendit, veçanërisht në rajonin e Girondës pranë qytetit të Bordosë. Rreth 200 mijë persona janë detyruar të largohen nga zonat e rrezikuara, ndërsa vetëm gjatë natës dhjetëra mijëra banorë janë zhvendosur në ambiente të përkohshme strehimi.

Autoritetet franceze bëjnë të ditur se disa zona kanë shfaqur përmirësime, por situata mbetet ende e pasigurt. Erërat e forta vazhdojnë të jenë një pengesë e madhe për kontrollin e zjarreve dhe favorizojnë përhapjen e tyre.

Sipas të dhënave zyrtare, rreth 1 milion hektarë tokë janë prekur nga zjarret në Francë që nga fillimi i vitit, me dëmet më të mëdha të regjistruara në zonën e Bordosë.

Autoritetet e të dy vendeve kanë shtuar masat e emergjencës, ndërsa ekipet e shpëtimit vijojnë operacionet për të frenuar flakët dhe për të mbrojtur komunitetet e prekura.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota