Pas atentatit në Berlin, shtohet kërkesa për ashpërsimin e masave
DW
Si mundi një islamist i njohur për policinë të kryejë sulmin në Berlin? Pas atentatit ndaj pjesëmarrësve të CSD-së në Berlin, ka mjaft pyetje e kritika ndaj autoriteteve.
Pikëllimi dhe zemërim në Gjermani pas sulmit të dyshuar islamist ndaj Christopher Street Day (CSD) në Berlin. Në të njëjtën kohë po shtohen kërkesat për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe për pasojat politike të atentatit. Kryetari i organizatës rinore të CDU/CSU-së, Junge Union (JU), Johannes Winkel u shpreh për revistën „stern“, se "politika nuk duhet të vazhdojë thjesht me rendin e ditës, por duhet të rishqyrtojë të gjithë kuadrin ligjor dhe të nxjerrë pasojat nga ky rast“. Winkel kërkoi gjithashtu që personat e klasifikuar si "Gefährder" (persona potencialisht të rrezikshëm për sigurinë) të mos mund të dënohen më sipas ligjit penal për të mitur. „Vonesa në pjekurinë psikologjike“, e nevojshme për zbatimin e së drejtës penale për të rinjtë, nuk duhet të pranohet më në rastet kur autorët janë radikalizuar“, theksoi ai.
Abdul B i njohur për autoritetet
Pas sulmit ndaj pjesëmarrësve të Christopher Street Day në Berlin, ku mbeti i vrarë një person dhe 29 të tjerë u plagosën rëndë ose lehtë, vëmendja e publikut është përqendruar tek e kaluara e autorit të dyshuar. I pandehuri për sulmin, 21-vjeçari Abdul B. që hyri me një furgon në turmën e njerëzve, nuk ishte i panjohur për autoritetet gjermane të sigurisë. Sipas hulumtimeve të NDR, WDR dhe gazetës Süddeutsche Zeitung, ai kishte tërhequr vëmendjen e autoriteteve si islamist që prej disa vitesh dhe, sipas këtyre raportimeve, kishte qenë nën vëzhgimin e policisë deri së fundmi. Abdul B. ishte person i njohur për Shërbimin e Mbrojtjes së Kushtetutës (Verfassungsschutz) që nga mosha 16-vjeçare. Që në rini, shtetasi gjerman me prejardhje libaneze ishte aktiv në qarqet islamiste në Berlin.
Sipas disa mediave gjermane (WDR, NDR,Süddeutsche Zeitung) nga burime të afërta me hetimet, i dyshuari Abdul B., i cili u vra gjatë një operacioni policor në mbrëmjen e së dielës, ishte dënuar vetëm në maj të vitit 2026 me një dënim për të mitur prej një viti e dhjetë muajsh burg për përgatitjen e një vepre terroriste.
Më herët, prokuroria kishte kërkuar dënim me burg prej pothuajse tre vitesh për të riun. Sipas informacioneve Abdul B. ndodhej në një periudhë prove paraprake (parakusht), një masë e veçantë e së drejtës penale për të mitur, i cili u jep të rinjve dhe adoleshentëve mundësinë të rehabilitohen dhe të tregojnë se janë larguar nga rruga e gabuar, përpara se të vendoset për një dënim përfundimtar.
Sulmi gjatë CSD-së në Berlin tregon edhe një herë se sa të rrezikuar ende janë personat e Komuniteti LGBTplus. Gjuha e urrejtjes dhe dhunës ndaj tyre ka kohë që është rritur.























