Macron viziton zonën e zjarreve në Francë: Do ta fitojmë së bashku betejën
BKT
Rajoni dhe Bota

Macron viziton zonën e zjarreve në Francë: Do ta fitojmë së bashku betejën

G.K/RTKlive

Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka vizituar zonën e përfshirë nga zjarret masive në jugperëndim të Francës, ku ka premtuar mbështetje për zjarrfikësit dhe banorët e prekur, ndërsa mijëra persona janë evakuuar dhe autoritetet po përpiqen t’i vënë flakët nën kontroll para rritjes së temperaturave.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, u bëri thirrje zjarrfikësve që të qëndrojnë të fortë, ndërsa vazhdojnë përpjekjet për ta vënë nën kontroll zjarrin masiv në jugperëndim të Francës.

Gjatë vizitës në qendrën koordinuese të operacionit, Macron tha se beteja do të zgjasë, por premtoi se ajo do të fitohet.

“Do ta fitojmë së bashku këtë betejë”, tha ai.

Zjarri, i cili po vazhdon që nga java e kaluar, ka përfshirë një sipërfaqe katër herë më të madhe se Parisi dhe ka detyruar 220 mijë persona të largohen nga shtëpitë e tyre.

“Po përballemi me një zjarr krejtësisht të paprecedentë”, tha Macron, duke e cilësuar situatën si krizën më të rëndë të Francës të lidhur me zjarret që nga Lufta e Dytë Botërore.

Ai vlerësoi ekipet e zjarrfikësve, të cilat të hënën arritën ta ndalonin përparimin e flakëve drejt Bordosë, por paralajmëroi se beteja ende nuk ka përfunduar.

“Javët e ardhshme do të jenë të vështira. Duhet të qëndrojmë të fortë”, tha Macron.

Mijëra zjarrfikës dhe avionë që hedhin ujë e substanca kundër zjarrit po përpiqen ta izolojnë zjarrin para rritjes së temperaturave. Nga e marta, në jugperëndim të Francës parashikohen temperatura prej 35 gradësh Celsius e më shumë.

Rreth 250 mijë persona janë evakuuar nga dy zjarre në jugperëndim të vendit. Të hënën nuk u njoftuan evakuime të reja, por autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve që të mos udhëtojnë drejt rajonit të Girondes.

Ekipet kanë përdorur makineri të rënda për të pastruar zona pyjore dhe për të krijuar hapësira që synojnë ta ndalojnë përparimin e flakëve. Zjarri kishte arritur deri në 15 kilometra larg periferisë së Bordosë.

Rreth 12 shtete kanë ofruar avionë, helikopterë, zjarrfikës dhe ndihmë tjetër për Francën dhe Spanjën. Në të dyja vendet, zjarret kanë detyruar më shumë se 330 mijë persona të largohen nga shtëpitë e tyre.

Në Spanjë, zjarret po vazhdojnë rreth Madridit dhe në rajonin e Valencias. Autoritetet kanë evakuuar 79 mijë persona, ndërsa 30 mijë të tjerë janë urdhëruar të qëndrojnë në shtëpi.

Një zjarr në Ávila është bërë më i madhi i regjistruar ndonjëherë në Spanjë, duke djegur 500 kilometra katrorë.

Ndërkohë, një zjarr pyjor shpërtheu edhe pranë Peschicit, në rajonin italian të Pulias, duke detyruar evakuimin e rreth 300 turistëve nga plazhet dhe kampet. / Burimi: AP


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota