Tensione dhe shpresa për dialog SHBA-Iran
BKT
Rajoni dhe Bota

Tensione dhe shpresa për dialog SHBA-Iran

Sh.Çoçaj/RTKlive

Pavarësisht sinjaleve për vazhdimin e dialogut diplomatik mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, tensionet në Lindjen e Mesme mbeten të larta. Ndërsa Presidenti amerikan Donald Trump flet për mundësinë e një marrëveshjeje, Teherani këmbëngul se qëndrimi i tij për Ngushticën e Hormuzit nuk ka ndryshuar dhe vijon të shkëmbejë mesazhe të ashpra me Uashingtonin.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, deklaroi se bisedimet mes Uashingtonit dhe Teheranit po zhvillohen në një atmosferë pozitive dhe se ekziston mundësia e arritjes së një marrëveshjeje. Megjithatë, ai paralajmëroi se opsioni ushtarak mbetet në tavolinë nëse diplomacia nuk sjell rezultate.

"Bisedimet me Iranin janë të mira dhe ka një shans për një marrëveshje," tha Trump, duke shtuar se administrata amerikane ka pezulluar përkohësisht veprimet ushtarake për t'i dhënë një mundësi procesit diplomatik. Ai theksoi gjithashtu se SHBA-ja vazhdon koordinimin e ngushtë me Izraelin.

Nga ana tjetër, Irani mohon se ka nisur një raund të ri negociatash me Shtetet e Bashkuara dhe këmbëngul se qëndrimi i tij lidhur me zhvillimet në Ngushticën e Hormuzit mbetet i pandryshuar.

Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, zhvilloi biseda telefonike me homologët e tij nga Omani dhe Arabia Saudite për situatën në rajon. Sipas agjencisë shtetërore iraniane IRNA, palët "theksuan domosdoshmërinë e forcimit të bashkëpunimit dhe avancimit të përpjekjeve të përbashkëta diplomatike për të vendosur stabilitet në rajon dhe për të zgjidhur pasigurinë e imponuar nga veprimet agresive të Shteteve të Bashkuara në Ngushticën e Hormuzit".

Në zhvillime të tjera, ushtria jordaneze njoftoi se Forcat Ajrore Mbretërore rrëzuan një dron që kishte shkelur hapësirën ajrore të vendit në lindje të Jordanisë. Më herët, edhe ushtria izraelite raportoi se kishte rrëzuar një dron me origjinë të panjohur pranë kufirit me Jordaninë.

Ndërkohë, në Libanin jugor vazhduan operacionet ushtarake izraelite. Agjencia Kombëtare e Lajmeve e Libanit raportoi për shpërthime në zonën e Tiros, ndërsa bombardime dhe operacione shkatërrimi u regjistruan edhe në Majdal Zun, El Mansouri dhe Bint Jubail.

Në Iran, autoritetet ekzekutuan Abolfazl Sepahi Bajani dhe Amirhossein Safari Hosseinabadi, të dënuar për vrasjen e katër oficerëve të policisë gjatë trazirave në Isfahan në janar të vitit të kaluar. Sipas autoriteteve iraniane, të dy u shpallën fajtorë për pjesëmarrje në sulmet ndaj forcave të rendit, nxitje të dhunës dhe shkatërrim të pronës publike.

Ndërkohë, Udhëheqësi Suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei, përsëriti mbështetjen për Hezbollahun dhe deklaroi se "rezistenca është e vetmja rrugë", duke kërkuar ndërprerjen e operacioneve ushtarake izraelite në Liban si kusht për çdo marrëveshje të ardhshme.

Në të njëjtën kohë, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ndodhet në Uashington për bisedime me Presidentin Trump. Sipas raportimeve të Channel 12, Izraeli ka përshpejtuar vendimmarrjen për vendosjen fillestare të një force ndërkombëtare në Rripin e Gazës përpara takimit mes dy liderëve.

Komisioneri i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Volker Türk, paralajmëroi se disa nga veprimet ushtarake izraelite në Liban mund të përbëjnë krime lufte.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota