Roberto Mancini rikthehet në krye të Italisë
F.B/RTKLive
Roberto Mancini është pranë rikthimit në krye të kombëtares së Italisë, duke marrë sërish drejtimin e "Azzurrëve" pas gati tre vitesh largim.
Lajmin e ka bërë të ditur presidenti i Federatës Italiane të Futbollit (FIGC), Giovanni Malago, gjatë një mbledhjeje të zhvilluar në Romë.
Mancini, i cili drejtoi Italinë nga viti 2018 deri në vitin 2023, mbetet një nga trajnerët më të suksesshëm në historinë e fundit të përfaqësueses, pasi e udhëhoqi drejt triumfit në Kampionatin Evropian 2021.
Përveç suksesit me kombëtaren, tekniku italian ka një karrierë të pasur edhe në nivel klubesh, ku ka fituar tre tituj të Serie A me Interin, një titull të Premier League me Manchester Cityn, si dhe kampionatin e Katarit me Al-Sadd.
Ndërkohë, ndryshime të rëndësishme pritet të ketë edhe në strukturën drejtuese të futbollit italian. Sipas raportimeve, Claudio Ranieri do të marrë detyrën e drejtorit teknik të FIGC-së, duke u bërë pjesë e projektit të ri për ringritjen e kombëtares.
Federata hasi në vështirësi për gjetjen e trajnerit të ri, pasi Carlo Ancelotti dhe Pep Guardiola refuzuan ofertat për të marrë drejtimin e Italisë. Në të njëjtën kohë, Andrea Pirlo u largua nga lista e kandidatëve për shkak të polemikave që lidhen me raportet e tij me Rusinë.
Po sipas raportimeve, zhvillimet rreth kandidaturës së Pirlos sollën edhe largimin e drejtorit teknik Paolo Maldini dhe këshilltarit Leonardo, vetëm dy javë pas emërimit të tyre në federatë.
Riorganizimi i plotë në krye të futbollit italian erdhi pas një prej periudhave më të vështira në historinë e kombëtares. Italia dështoi të sigurojë kualifikimin në Kupën e Botës për të tretën herë radhazi, çka solli dorëheqjet e trajnerit Gennaro Gattuso, presidentit të atëhershëm të FIGC-së Gabriele Gravina dhe koordinatorit të kombëtares, Gianluigi Buffon.
Në muajin qershor, drejtimin e Federatës Italiane të Futbollit e mori Giovanni Malago, ish-president i Komitetit Olimpik Italian dhe një nga figurat kryesore në organizimin e Lojërave Olimpike Dimërore "Milano-Cortina 2026".
Rikthimi i Mancinit shihet si hapi i parë i projektit të ri për ta rikthyer Italinë mes elitës së futbollit botëror.























