Neymar: Koha ime me kombëtaren ka përfunduar
BKT
Sport

Neymar: Koha ime me kombëtaren ka përfunduar

F.B/RTKLive

Neymar ka konfirmuar se nuk do të veshë më fanellën e kombëtares së Brazilit, duke i dhënë fund një kapitulli të rëndësishëm në karrierën e tij ndërkombëtare.

Sulmuesi brazilian e bëri të ditur vendimin pas fitores së Santosit 4:2 ndaj Universidad Central, duke theksuar se cikli i tij me ekipin kombëtar ka përfunduar.

“Koha ime me ekipin kombëtar ka mbaruar. Besoj se kam bërë histori atje dhe kam qenë shumë i lumtur. Kam përjetuar shumë momente, kam dhënë gjithçka dhe gjithmonë kam luftuar për fanellën e verdhë”, ka deklaruar Neymar.

34-vjeçari largohet nga kombëtarja e Brazilit si një prej golashënuesve më të mirë në historinë e saj. Në 130 paraqitje me “Seleçaon”, Neymar ka shënuar 80 gola dhe ka dhënë 59 asistime.

Pavarësisht mungesës së një titulli të Kupës së Botës, Neymar lë pas një trashëgimi të madhe dhe konsiderohet ndër futbollistët më të rëndësishëm të gjeneratës së tij në historinë e Brazilit.

Pas më shumë se një dekade me fanellën verdhejeshile, aventura e tij me kombëtaren tashmë ka marrë fund.