Përplasje FIFA-UEFA, shqyrtohet bojkoti i Botërorit
BKT
Sport

Përplasje FIFA-UEFA, shqyrtohet bojkoti i Botërorit

F.B/RTKLive

FIFA dhe UEFA mund të përballen me një përplasje të re pas planeve të fundit të qeverisë botërore të futbollit për të hapur garat kryesore ndërkombëtare ndaj investitorëve privatë.

Sipas “BBC Sport”, 55 federatat anëtare të UEFA-s do të zhvillojnë një takim urgjent gjatë kësaj jave për të diskutuar planin e FIFA-s për krijimin e një strukture të re komerciale që do të menaxhojë evenimentet kryesore, përfshirë edhe Kupën e Botës.

FIFA ka bërë të ditur se synon të krijojë një kompani të re ku investitorët e jashtëm do të kenë mundësi të blejnë aksione. Ky propozim ka shkaktuar reagime të forta në Evropë, me UEFA-n që ka shprehur shqetësimin se ndikimi mbi garat më të mëdha të futbollit mund t’u kalojë investitorëve privatë.

Drejtuesit e UEFA-s kanë paralajmëruar se me këtë iniciativë “është kaluar një vijë e kuqe”, duke kërkuar më shumë sqarime për mënyrën se si do të funksionojë kjo strukturë dhe çfarë ndikimi do të ketë në të ardhmen e garave ndërkombëtare.

Nga ana tjetër, FIFA ka argumentuar se të ardhurat e gjeneruara nga ky plan do të përdoren për zhvillimin e futbollit në mbarë botën. Synimi i organizatës është të rrisë fondet për zhvillim global në 10 miliardë dollarë dhe t’u mundësojë 211 federatave anëtare qasje në deri në 20 milionë dollarë kapital të njëhershëm.

Ky përplasje vjen në një periudhë të tensionuar mes dy institucioneve më të fuqishme të futbollit botëror. Marrëdhëniet mes FIFA-s dhe UEFA-s janë përkeqësuar edhe më tej pas vendimit të presidentit të UEFA-s, Aleksander Ceferin, për të bojkotuar finalen e Kupës së Botës të zhvilluar këtë muaj.

Takimi i federatave evropiane pritet të përcaktojë qëndrimin e UEFA-s ndaj planeve të reja të FIFA-s, ndërsa një bojkot i mundshëm i Kupës së Botës do të përbënte një nga krizat më të mëdha institucionale në historinë e futbollit.