Lugano eliminon Dukagjinin
F.Bytyqi/RTKLive
(E përditësuar, 18:26)-Dukagjini i ka dhënë fund aventurës evropiane për këtë sezon, pasi është eliminuar nga Lugano në raundin e dytë kualifikues të UEFA Conference League.
Skuadra nga Klina u mposht me rezultat 1:5 në ndeshjen kthyese të zhvilluar të mërkurën në Kampin Nacional në Hajvali, ndërsa me rezultatin e përgjithshëm 1:6, Lugano siguroi kalimin në raundin tjetër të kësaj gare evropiane.
Skuadra zvicerane, e cila kishte më shumë përvojë në arenën ndërkombëtare, zhvilloi një paraqitje më të mirë gjatë gjithë takimit dhe e kontrolloi lojën ndaj Dukagjinit.
Lugano e nisi furishëm ndeshjen dhe në pjesën e parë realizoi tri gola. Behrens shënoi dy herë për mysafirët, në minutat e 6-të dhe 36-të, ndërsa Santos realizoi në minutën e 9-të.
Dukagjini reagoi shpejt dhe ngushtoi epërsinë përmes Maliqit në minutën e 10-të, duke rikthyer përkohësisht shpresën për një rikthim në rezultat.
Megjithatë, Lugano vazhdoi dominimin edhe në pjesën e dytë dhe shënoi edhe dy gola të tjerë. Fillimisht Sinani realizoi autogol në minutën e 52-të, ndërsa Behrens kompletoi het-trikun në minutën e 59-të për rezultatin përfundimtar 5:1.
Pas kësaj humbjeje, Dukagjini largohet nga garat evropiane për këtë sezon, ndërsa Lugano vazhdon rrugëtimin në raundin e tretë kualifikues të UEFA Conference League.
Lugano po dominon ndaj Dukagjinit
Ka përfunduar pjesa e parë e ndeshjes mes Dukagjinit dhe Luganos, me skuadrën zvicerane që po udhëheq me rezultat 3:1 në Kampin Nacional në Hajvali.
Kjo përballje po zhvillohet në kuadër të ndeshjes kthyese të raundit të dytë kualifikues të UEFA Conference League dhe po transmetohet drejtpërdrejt në RTK.
Lugano, një skuadër me më shumë përvojë në garat evropiane, zhvilloi një pjesë të parë më të mirë dhe arriti të realizojë tri gola. Behrens shënoi dy herë për mysafirët, në minutat e 6-të dhe 36-të, ndërsa Santos realizoi në minutën e 9-të.
Dukagjini reagoi shpejt dhe ngushtoi epërsinë përmes Maliqit, i cili shënoi në minutën e 10-të, duke rikthyer shpresën për skuadrën nga Klina.
Në ndeshjen e parë të zhvilluar një javë më parë në Zvicër, Lugano kishte triumfuar me rezultat minimal 1:0, ndërsa Dukagjini tashmë ka një detyrë të vështirë për të përmbysur rezultatin e përgjithshëm.























