PSG mposht konkurrencën, arrin marrëveshje për transferimin e Akliouche
F.B/RTKLive
Paris Saint-Germain ka bërë hapin vendimtar për transferimin e Maghnes Akliouche, duke arritur marrëveshje me Monacon për një nga talentet më të spikatur të futbollit francez.
Sipas “L’Equipe”, PSG ka dakorduar një marrëveshje në vlerën e 50 milionë eurove për 24-vjeçarin, pas disa ofertave të mëparshme që ishin refuzuar nga klubi i Ligue 1.
Akliouche vjen pas një sezoni të shkëlqyer me fanellën e Monacos. Në edicionin 2025/26, mesfushori ofensiv zhvilloi 43 ndeshje në të gjitha garat, duke realizuar shtatë gola dhe duke dhuruar 10 asistime.
Paraqitjet e tij të mira i siguruan edhe një vend në Kombëtaren e Francës për Kupën e Botës 2026, ku ai u aktivizua për shtatë minuta në fitoren 3-0 ndaj Irakut.
Për Akliouche kishte shfaqur interes edhe Liverpooli, por klubi anglez nuk e konkretizoi asnjëherë me një ofertë zyrtare. “Reds” tashmë pritet ta përqendrojnë vëmendjen te një tjetër objektiv nga PSG, Bradley Barcola.
Me këtë transferim, PSG vazhdon strategjinë e saj për të afruar lojtarë të rinj me potencial të madh, ndërsa Akliouche pritet të jetë një nga përforcimet e rëndësishme të skuadrës parisiene për sezonin e ri.























