Dinamo e Ilir Dajës mposht Aluminijn, kalon në rundin e tretë të LK
F.B/RTKLive
Dinamo ka siguruar kualifikimin në raundin e tretë kualifikues të UEFA Conference League, pasi mposhti Aluminijn me rezultat 3-0 në stadiumin “Elbasan Arena”.
Pas barazimit 1-1 në ndeshjen e parë të zhvilluar në Slloveni, skuadra e drejtuar nga Ilir Daja zhvilloi një paraqitje të shkëlqyer në sfidën e kthimit, duke dominuar takimin dhe vulosur kualifikimin me rezultat të përgjithshëm 4-1.
Dinamo hodhi themelet e fitores që në pjesën e parë. Vila zhbllokoi rezultatin, ndërsa Qefalija dyfishoi epërsinë, duke i dhënë qetësi skuadrës shqiptare para pushimit.
Në pjesën e dytë, Përndreca realizoi golin e tretë, duke vulosur triumfin dhe kualifikimin e merituar të “Bluve” në fazën tjetër të garës.
Me këtë sukses, Dinamo vazhdon aventurën evropiane dhe në raundin e tretë kualifikues të UEFA Conference League do të përballet me Audan e Letonisë, në përpjekje për t'u afruar edhe më shumë fazës "play-off" të kompeticionit.























