Dronët ukrainas godasin një depo të Wildberries pranë Moskës
Sh.Ç/RTKlive
Një sulm ajror me dronë nga Ukraina, goditi gjatë natës një qendër logjistike të kompanisë ruse të tregtisë elektronike Wildberries në rajonin e Vladimirit, rreth 180 kilometra në lindje të Moskës.
Sipas kompanisë, pas goditjes shpërtheu një zjarr në një nga depot e saj, ndërsa të gjithë punonjësit u evakuuan në kohë. Autoritetet lokale konfirmuan dëmet materiale, ndërsa guvernatori i rajonit, Aleksandar Avdejev, tha se një person mbeti i plagosur.
Ky është sulmi më i fundit në një seri goditjesh që kanë shënjestruar objektet e Wildberries. Sipas raportimeve, që nga mesi i korrikut janë goditur rreth 20 lokacione të kompanisë në rajone të ndryshme të Rusisë, si edhe në Krimenë e aneksuar.
Në valën e parë të sulmeve, gjatë natës së 17–18 korrikut, tetë persona humbën jetën dhe afro 90 të tjerë u plagosën në rajonet e Moskës dhe Tambovit. Më pas, sulme të ngjashme janë raportuar edhe pranë Shën Petersburgut, Simferopolit, Krasnodarit, Volgogradit dhe Samarës.
Wildberries konsiderohet platforma më e madhe e tregtisë elektronike në Rusi dhe shpesh cilësohet si “Amazoni rus”, falë rrjetit të gjerë të shpërndarjes dhe gamës së produkteve që ofron.
Ukraina ka shtuar sulmet me dronë ndaj objektivave brenda territorit rus, duke deklaruar se synon infrastrukturën që mbështet kapacitetet e Rusisë gjatë luftës. Nga ana tjetër, Moska i dënon këto sulme dhe i cilëson ato si goditje ndaj objekteve civile.























